Stuttgart fiton Kupën e Gjermanisë
Stuttgart ka triumfuar në finalen e madhe të Kupës së Gjermanisë (DFB-Pokal), duke e mposhtur Arminia Bielefeld me rezultat 4-2 në “Olympiastadion” të Berlinit.
Me këtë fitore, skuadra nga Baden-Württembergu jo vetëm që e ka ngritur për herë të katërt në histori këtë trofe prestigjioz, por ka siguruar edhe pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Europa League.
Në anën tjetër, Arminia Bielefeld, skuadra surprizë nga liga e tretë, nuk ia ka arritur ta shkruajë historinë si ekipi i parë jashtë Bundesligës që e fiton kupën pas tridhjetë e tri vitesh.
Me entuziazëm të jashtëzakonshëm, një e treta e popullsisë së Bielefeld kishte udhëtuar drejt kryeqytetit gjerman për të ndjekur nga afër ekipin që kishte eliminuar katër klube të Bundesligës në rrugën drejt finales.
Bielefeld e ka nisur ndeshjen me shumë besim, duke pasur një rast të artë për të kaluar në epërsi, por goditja e Noah Sarenren Bazee ka përfunduar në traversë, me portën e boshatisur.
Pas këtij rreziku, Stuttgart është zgjuar dhe përbrenda tridhjetë minutave e ka vendosur fatin e ndeshjes. Nick Woltemade e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e pesëmbëdhjetë, pas një pasimi nga Angelo Stiller. Më pas, një gabim i madh në mbrojtjen e Bielefeld i ka dhënë rast Deniz Undav, i cili ka asistuar për Enzo Millot, ndërsa pak më vonë Undav ka shënuar edhe golin e tretë pas një aksioni tjetër të nisur nga Stiller.
Në pjesën e dytë, Millot e ka realizuar golin e katërt për Stuttgarti, duke shfrytëzuar një pasim të gabuar të Louis Oppie.
Megjithatë, Arminia Bielefeld nuk është dorëzuar. Brenda tre minutave ia ka arritur ta ngushtojë rezultatin. Fillimisht, zëvendësuesi Julian Kania ka realizuar një gol, duke devijuar në rrjetë një kros të Christopher Lannert. Më pas, Josha Vagnoman ka realizuar autogol pas një presioni nga Isaiah Young.
Përkundër përpjekjeve të fundit, koha nuk ka mjaftuar për një rikthim të madh. Stuttgart, pas tetëmbëdhjetë vitesh pritje.
