Zemaj: Një kompani farmaceutike e ka kapur sistemin shëndetësor nga Kurti te Vitia
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti duke thënë se një kompani farmaceutike ka marrë nën kontroll të gjithë sistemin shëndetësor në vend nga niveli qeveritar deri te Ministria e Shëndetësisë.
Zemaj tha se kjo kapje ka prodhuar skandale të njëpasnjëshme që nga fillimi i mandatit të qeverisë aktuale. Sipas tij, mungesa e ilaçeve dhe materialeve esenciale në spitale nuk është rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit të kësaj kompanie.
“Një kompani farmaceutike e ka kapur sistemin shëndetësor në vend, nga Albin Kurti e deri te Arben Vitia. Prandaj çdo ditë nga fillimi i kësaj qeverie kanë rrjedhur skandal pas skandali, hajni pas hajnie. Mungesa e ilaçeve dhe materialeve të tjera ka emër e mbiemër,” deklaroi Zemaj.
Ai shtoi se qeveria në ikje “veç një detyrë e ka kryer siç duhet”, por sipas tij, këtë e ka bërë “në kurriz të pacientit dhe qytetarit të varfër”. /Kosova.info/
