Bajrami: Miliona euro të shpërdoruara nga Nagavci në bursat për STEM – pa kritere, pa vizion

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas një publikimi të Kohës Ditore mbi mënyrën e shpërndarjes së bursave në fushën e Gjuhës dhe Letërsisë duke theksuar se skema e shpërndarjes së pakriter ka ndodhur edhe në drejtimet STEM (Shkenca, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).

Bajrami tha se kjo “strategji” e ministres Arbërie Nagavci ka rezultuar në miliona euro të shpërdoruara duke i quajtur këto shpenzime si barrë të padrejtë mbi qytetarët që mezi e kalojnë muajin.

“Kjo nuk ka ndodhë vetëm në Gjuhë dhe Letërsi, të njëjtën strategji Nagavci e ka implementu edhe në STEM. Rezultati: miliona euro të shpërdoruara, pa asnjë kriter, pa transparencë,” shkroi Bajrami në një postim në rrjete sociale.

Ajo theksoi se e kishte kundërshtuar që në fillim këtë mënyrë të dhënies së bursave, por sipas saj, “ata që qeverisën 4 vjet as s’kanë ditë, as s’kanë dëgju.”

Sipas Bajramit, katër vitet e fundit kanë sjellë “vetëm hapa mbrapa dhe kosto të pariparueshme për vendin” duke i bërë thirrje institucioneve të auditimit dhe hetuesisë të shqyrtojnë këtë çështje në detaje. /Kosova.info/


Go to TOP