Bajrami: Mashtrimi dhe dështimi i Kurtit u vulos sot – Kosovën e kanë lodhur praktikantët dhe të korruptuarit

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit për formimin e Qeverisë së re duke e cilësuar këtë moment si “vulosje të mashtrimit, propagandës dhe dështimit të atij që doli i pari”.

Në reagimin e saj, Bajrami akuzoi kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për tradhti ndaj votuesve që, sipas saj, i besuan për të formuar Qeverinë.

“Albin Kurti tradhtoi gjithë votuesit e tij, të cilët i besuan dhe e votuan për të formuar Qeverinë. Ai e dëshmoi sot se ka vetëm vullnet për pushtet. Nuk i intereson shteti e as jeta e qytetarëve të Kosovës,” shkroi Bajrami.

Ajo shtoi se Kurti “doli se nuk i ka numrat” dhe madje “sikur ishte i lumtur për këtë fakt duke prezantuar kabinetin imagjinar për një Qeveri të re”.

“Mashtrimin, propagandën, krimin, korrupsionin dhe keqqeverisjen do ta ndëshkojnë me votë qytetarët e Kosovës,” theksoi ajo duke shtuar se vendit i duhen njerëz që mendojnë për shtetin, e jo “praktikantë, të dështuar e të korruptuar që i sjellin vetëm dëme Kosovës”.

Në përfundim, Bajrami theksoi se “dështimi dhe dështuesit kanë emër: Albin Kurti dhe Vetëvendosje”. /Kosova.info/


Go to TOP