Bajrami: LDK rikthehet në RTK për ta ndryshuar gjendjen, jo sepse ka ndryshuar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se LDK po rikthehet në ekranin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) pas një bojkoti të gjatë, të cilin kjo parti e kishte ndërmarrë si shenjë proteste ndaj, siç e cilëson ajo, kapjes politike të këtij institucioni nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sot jam në intervistë në RTK me një mesazh të qartë. LDK po kthehet për të folur drejtpërdrejt me qytetarët, pikërisht aty ku përpjekjet për politizim s’kanë të ndalur”, tha Bajrami.

Ajo akuzoi Vetëvendosjen për transformimin e televizionit publik në një zgjatim të pushtetit, përmes emërimeve politike në bord, vendosjes së menaxhmentit në kundërshtim me ligjin, dhe përdorimit të RTK-së për propagandë qeveritare. Bajrami theksoi se ky institucion funksionon aktualisht pa bord vendimmarrës dhe me një drejtor që, sipas saj, është në pozitë në mënyrë joligjore.

“Sot RTK është në gjendje të rëndë, e nënshtruar ndaj pushtetit, me buxhet të pamjaftueshëm, kushte të vështira pune dhe tendencë të vazhdueshme për të sulmuar kritikët e qeverisë”, u shpreh ajo.

Deputetja e LDK-së theksoi se kthimi i saj në RTK nuk nënkupton ndonjë përmirësim të gjendjes, por është një përpjekje për të kontribuar në ndryshimin e saj.

“Nuk po kthehemi sepse ka ndryshuar gjendja, por për ta ndryshuar atë. Qytetarët meritojnë të dëgjojnë të vërtetën në mediumin që duhet t’iu shërbejë atyre. RTK duhet të jetë vetëm e publikut”, përfundoi Bajrami duke shtuar se LDK do të mbështesë gazetarët profesionistë që përballen me presion të vazhdueshëm politik.

Ajo tha se LDK do të vazhdojë të flasë pa kompromis në këtë medium duke i rikujtuar publikut se degradimi i RTK-së është vetëm një nga dëmet që, sipas saj, i janë shkaktuar institucioneve nga partia në pushtet. /Kosova.info/


Go to TOP