Bajrami: Kusari-Lila dhe partia e saj bllokuan Kuvendin – nuk kanë arsye të frikësohen nga nisma për çmimin e rrymës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj qëndrimeve të deputetëve të Vetëvendosjes për iniciativën që kërkon mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim që të kërkohet nga ZRRE shfuqizimi ose shtyrja e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Ajo ka kritikuar ashpër shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila duke thënë se nga një parti që ka bllokuar Kuvendin që nga 15 prilli, nuk pritet ndonjë sjellje ndryshe.
“Nëse do të mendonin për qytetarët dhe bizneset, znj. Kusari-Lila dhe të tjerët, sot nuk do të ishim në këtë situatë,” ka deklaruar Bajrami.
Megjithatë, ajo thekson se deputetët nuk kanë asnjë arsye të frikësohen nga nisma për nënshkrime, pasi që sipas saj, përfaqësuesit e qytetarëve kanë detyrim të mbrojnë interesin publik.
“Për nënshkruesit e kësaj kërkese, vota e marrë është përgjegjësi, jo shansë për të luajtur me vullnetin e qytetarëve apo për të bllokuar institucionet,” ka shtuar Bajrami.
Ajo ka kërkuar nga të gjithë deputetët që t’i bashkohen kësaj nisme si një hap i drejtë dhe në përputhje me përgjegjësinë që u është dhënë nga qytetarët. /Kosova.info/
