Bajrami kërkon pezullimin e vendimit të ZRrE-së: Prokuroria të veprojë para 1 gushtit
Shefja e grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se ZRrE-ja duhet ta pezullojë vendimin për daljen në treg të hapur të energjisë për biznese.
Sipas Bajramit, ZRrE duhet ta pezullojë vendimin për përjashtimin e rreth 1 mijë e 300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, në përputhje me vendimet e Gjykatës Komerciale, deri në vendim përfundimtar.
“Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty? S’ka rrugë tjetër. Pikë”, tha Bajrami, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata Komerciale gjatë ditës ka marrë vendim për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Sipas Gjykatës Komerciale, kjo masë do të vlejë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje. /Kosova.info/
