Bajrami: Burgimi i përjetshëm për vrasësit e Liridona Ademajt, mesazh i fortë kundër krimeve ndaj grave

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dënimit të tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademaj duke e cilësuar vendimin si një lehtësim për familjen e viktimës dhe për gjithë shoqërinë.

Bajrami theksoi se ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për angazhim të përgjithshëm institucional dhe shoqëror, në mënyrë që krime të tilla ndaj grave të mos përsëriten.

“Dënimi me burgim të përjetshëm është dëshmi se kush kryen krime të tilla përballet me dorën e fortë të drejtësisë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, vendimi i gjykatës duhet të jetë një paralajmërim i qartë për çdo person që tenton të kryejë vepra të rënda penale duke shtuar se autorët e krimeve të tilla duhet të përballen me ndëshkimin maksimal.

Ajo përfundoi se drejtësia duhet të vazhdojë të jetë e pakompromis në raste të dhunës dhe vrasjeve, veçanërisht kur viktima janë gra, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e tragjedive të tilla në shoqëri. /Kosova.info/


Go to TOP