Bajraktari: Kosova humbi një veprimtar të shquar, unë humba një mik të çmuar
Veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar me pikëllim për ndarjen nga jeta të Alush Gashi duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të jetës politike dhe akademike në Kosovë.
Bajraktari ka kujtuar bashkëpunimin e tyre për më shumë se tri dekada në Washington, në përpjekjet për çështjen e Kosovës duke theksuar rolin e Dr. Gashit në rrugëtimin për liri, pavarësi dhe demokraci.
Sipas tij, Alush Gashi ishte një ndër themeluesit e Lidhja Demokratike e Kosovës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e shoqëroi në periudhat më vendimtare për Kosovën.
Bajraktari vlerësoi gjithashtu kontributin e tij si ministri i parë i Shëndetësisë në Kosovën e pasluftës, deputet i Kuvendit dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Ai tha se trashëgimia akademike dhe politike e Dr. Alush Gashit do të mbetet udhërrëfyes për brezat e rinj, ndërsa familjes Gashi dhe të afërmve u shprehu ngushëllimet më të sinqerta.
“Shpirti i tij u prehtë në paqe”, ka përfunduar Bajraktari në mesazhin e tij ngushëllues. /Kosova.info/
