Bahtiri i bën thirrje familjes Jashari për President: Kosovës i duhet një Jashar në krye të shtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agim Bahtiri, i është drejtuar me një letër të hapur Familja Jashari duke kërkuar që nga kjo familje të propozohet një kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Në letrën e tij, Bahtiri e përshkruan situatën aktuale në vend si një “udhëkryq të rrezikshëm” duke përmendur disa sfida kryesore, përfshirë vakumin kushtetues pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani, ngërçin diplomatik, vështirësitë ekonomike dhe rritjen e migrimit, si dhe polarizimin e skenës politike.

Ai thekson se në këtë situatë, sytë e qytetarëve kthehen drejt Prekaz duke e cilësuar familjen Jashari si simbol të unitetit, sakrificës dhe besueshmërisë kombëtare.

“Familja Jashari nuk është thjesht një emër; është institucion i moralit dhe i qëndresës”, shkruan Bahtiri duke shtuar se vendit i duhet një figurë që bashkon dhe rikthen dinjitetin institucional.

Në fund, ai u bën thirrje trashëgimtarëve të familjes së Shaban Jashari që të ofrojnë një kandidat për President duke e konsideruar këtë si një zgjidhje që mund të tejkalojë krizën politike dhe të rikthejë unitetin në vend. /Kosova.info/


Go to TOP