AVONET: Qeveria po cenon rëndë lirinë e medias dhe pavarësinë e RTK-së

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së Qeverisë së Kosovës në Transmetuesin Publik (RTK) duke e cilësuar si një veprim të paligjshëm dhe të papranueshëm që cenon drejtpërdrejt lirinë e medias dhe pavarësinë editoriale.

Në një deklaratë publike, AVONET shpreh shqetësimin e thellë për mbylljen e disa emisioneve dhe përjashtimin arbitrar të gazetarëve dhe moderatorëve, të cilët, sipas saj, kanë dëshmuar profesionalizëm dhe paanshmëri. Ky vendim, i marrë në mungesë të një Bordi funksional, shihet si përpjekje për të ushtruar kontroll politik mbi transmetuesin publik dhe për të heshtur zërin kritik.

“RTK nuk është e pushtetit, por e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky akt i censurës është një goditje e rëndë ndaj lirisë së shprehjes, transparencës dhe demokracisë në vend”, thekson AVONET.

Organizata i bën thirrje institucioneve shtetërore dhe partive politike, me theks të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje, që të ndalojnë çdo formë ndërhyrjeje në punën e gazetarëve dhe të garantojnë funksionimin e pavarur të RTK-së.

Gjithashtu, AVONET kërkon nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës të reagojnë ndaj këtij rasti duke theksuar se mbrojtja e mediave të lira dhe të pavarura është kusht thelbësor për demokracinë.

Në përfundim, rrjeti i OJQ-ve shpreh solidaritet me gazetarët e përjashtuar dhe i inkurajon ata të vazhdojnë përpjekjet ligjore e profesionale për të mbrojtur lirinë e medias, si një nga shtyllat themelore të shoqërisë demokratike. /Kosova.info/


Go to TOP