AUV paralajmëron rrezik nga aflatoksina M1: Tërhiqet nga tregu djathi Mozzarella nga qumështi i buallicës

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim zyrtar me numër 2026.0032, lidhur me praninë e mundshme të aflatoksinës M1 në djathin Mozzarella të prodhuar nga qumështi i buallicës.

Sipas AUV-së, bazuar në vlerësimin e rrezikut të mundshëm serioz për shëndetin e konsumatorëve, janë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme në përputhje me procedurat e sistemit RASFF. Këto masa përfshijnë monitorimin e rastit dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të dyshuara.

Lote të ndikuara nga ky njoftim janë: 25346, 25347, 25349 dhe 25350, me origjinë nga Italia. Prodhues i produktit është Caseificio Coop. “La Contadina” A.R.L., eksportues Cepparo S.P.A., Itali, ndërsa produkti është importuar në Kosovë nga kompania Premio SHPK, me seli në Sllatinë të Madhe.

Agjencia u bën thirrje operatorëve ekonomikë dhe konsumatorëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente duke mos konsumuar produktet që i përkasin loteve të lartpërmendura.

AUV thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore. /Kosova.info/


Go to TOP