Austria do të vazhdojë “të mbetet” neutrale

Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë se synon që të mbajë shtetin neutral në periudhën e luftës në Ukrainë.

“Austria ka qenë neutrale, Austria është neutrale dhe Austria do të vazhdojë të jetë neutrale”, ka thënë Nehammer para gazetarëve gjatë një vizite të hënën në Katar.

Neutraliteti është i rëndësishëm, ka thënë ai, duke shtuar se çështjen e neutralitetit të Austrisë e konsideron të mbyllur.

Politikanët austriakë dhe mediat në këtë shtet kanë qenë duke debatuar së fundi nëse ky shtet duhet t’i bashkohet NATO-s.

Austria zbaton statusin e neutralitetit sipas Traktatit të Shtetit Austriak të vitit 1955.

Kushtetuta e saj e ndalon hyrjen në aleanca ushtarake dhe krijimin e bazave të huaja ushtarake në territorin austriak.

Go to TOP