Auditori i BQK-së vizitë në Bankën e Shqipërisë
Një vizitë dyditore në Bankën e Shqipërisë ka realizuar një delegacion i nivelit të lartë i Auditimit të Brendshëm i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar nga Shefi i Auditimit të Brendshëm, Labinot Lekaj ku thuhet se u zhvilluan diskutime të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e praktikave të Auditimit të Brendshëm në veçanti.
“Përfaqësuesit e BQK-së u pritën nga udhëheqës të lartë të Bankës së Shqipërisë, znj. Merita Bejtja, Inspektore e Përgjithshme, znj. Rediana Elezi dhe stafi i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët ndanë përvojat e tyre në zhvillimin e kapaciteteve të auditimit, menaxhimin e rrezikut dhe transparencën, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, bëhet e ditur në njoftim.
Kjo vizitë, sipas BQK-së u bë si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të këtij institucioni për të avancuar cilësinë e qeverisjes së brendshme dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me bankat qendrore partnere në rajon.
“Në fund, palët riafirmuan gatishmërinë e tyre për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, duke kontribuar kështu në forcimin e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale në të dy vendet”, tregoi BQK-ja.
Banka Qendrore thotë se mbetet e angazhuar për të ndërtuar dhe avancuar më tej qeverisjen e saj institucionale, duke garantuar një sistem financiar të qëndrueshëm, transparent dhe të sigurt, me mbështetje të gjerë ndërkombëtare. /Kosova.info/
