Artisti i cili tërë jetën ia kushtoi artit

IN MEMORIAM

I PËRJETSHËM QOFTË KUJTIMI PËR PIKTORIN SULEJMON HAXHIKADRIU

Shkruan: Prof. Dr. Hivzi MUHARrEMI

Me rastin e vdekjes se artistit-piktorit, Profesorit Sulejmon Ymer Haxhikadria, i cili me veprën artistike dhe punën e tij si krijues mbetet i paharruar për gjenerata të shumta të krijuesve figurativ. Vdekja e ndau artistin, piktorin, kolegun tonë, te nderuar Sulejmon Haxhikadriun, i cili tërë jetën e tij e shkriu në përpjekje për emancipimin shpirtëror dhe të përgjithshëm të kombit të vet. Deri në frymën e fundit të jetës ai me veprën e tij u bë shëmbëlltyrë e paharrueshme për gjeneratat e sotme dhe të ardhme.

Piktori Sulejmon Haxhikadria i takon brezit të parë të krijuesve figurativë. Lindi në Gjakovë në vitin 1936. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, shkollën e mesme të Artit në Pejë më 1959, ndërsa studimet e larta për pikturë i mbaroi në Akademinë e Arteve në Zagreb (Kroaci) me 1964, në klasën e Prof. Milenko Stanciq. Më 1979 si bursist i Qeverisë së Francës në Paris e kryen specializimin te piktori Zh.Martini. Që nga viti 1965 është anëtar i SHAFK-ës. Ka hap ekspozita vetjake në Gjakovë më 1959, Pejë më 1959, Mitrovicë, Shkup më 1961, në Prishtinë më 1965. Nga ekspozitat e përbashkëta veçohen: në Zagreb, Sarajevë, Beograd, Tuzëll, Suboticë, Banjallukë më 2012, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Që nga viti 1965, ka marrë pjesë në ekspozitat e SHAFK-ës,në Sallonin Pranveror, ekspozitën vjeshtore, pastaj në Biennalin ndërkombëtar të vizatimit në Prishtinë. Është fitues i çmimit për pikturë nga SHAFK – ës më 1976 dhe 1986, dhe në vitin 2000 i ndahet një mirënjohje nga SHAFK-ës dhe SHAAK – së.

Sulejman Kadriu i takon brezit të vjetër të krijuesve figurativë të Kosovës. Që nga vitet e pesëdhjeta implementohet në rrjedhat a tendencat zhvillimore të arteve figurative, rrjedha këto që në vitet e shtatëdhjeta do të pësojnë një metamorfozë të plotë të shprehjes figurative. Pra, që nga këto vite me ngulm e devotshmëri do t’i hyjë krijimtarisë figurative, si kurorëzim i së cilës do të pasojë ekspozita e parë personale e tablove me motive duar-duar në Gjakovë më l956. Pa dyshim se që nga kjo ekspozitë që u mirëprit tek adhuruesit e artit, e deri më tani ai nuk do ta ndërpresë ritmin vijimor të krijimtarisë, dhe kjo duke u orvatur që ta krijojë stilin vetjak e gjithnjë me pretendim të hedhjes në tendencat zhvillimore të arteve figurative në Kosovë.

Në fillim ishte i preokupuar me motive duar-duar nga mjedisi i Pejës, imazhe këto që dashur padashur u bënë pjesë përbërëse e shpirtit të vet, ashtu siç ishin bërë për shumë krijues të qendrave të tjera, të cilët kishin qëndruar për një kohë të shkurtër apo të gjatë në qytetin piktoresk e koloristik të Pejës.

Pas hulumtimeve, eksperimenteve dhe lëkundjeve të pandërprera në botën artistike figurative, ai fillon gradualisht të zhytet në pellgun e gjerë të lëvizjeve moderniste, duke u sprovuar dhe në një kohë të gjatë duke krijuar në frymën e simbolizmit, abstraksionit dhe ekspresionizmit abstrakt-që nga piktura e aksionit të Polokut, Gorkyt deri te Feito. Periudhë kjo, ku është menduar se arti është kuptuar si formë, nga e cila buron gjuha si mjet parësor i komunikimit.

Pledon në çdo gjë që është subjektive në tablotë e veta t’i ekskomunikojë dhe orvatet ta caktojë ekuivalencën e formës dhe hapësirës me pretekst të zbulimit dhe të sintetzimit të shprehjes objektive të vizionit impersonal që lind brenda kufijve të aplikacioneve figurative.

Lavdi për punën dhe veprën e piktorit!

Jemi krenarë që e patëm në mesin tonë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për artistin-piktorin

Sulejmon Haxhikadriun.

Go to TOP