Arrihet progres mes Rusisë dhe Ukrainës rreth zhbllokimit të eksportit të grurit

Delegacionet ushtarake të Ankarasë, Kievit, Moskës dhe përfaqësuesve të OKB-së u takuan të mërkurën në Stamboll për të diskutuar mbi dërgesën e drithërave dhe produkteve ushqimore.

Delegacionet trajtuan dërgimin e sigurt të drithërave që gjendeshin në portet e Ukrainës, e cila është në mes të luftës së vazhdueshme me Rusinë, sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar deklaroi se në takimin katërpalësh për grurin ukrainas, është rënë dakord që në Stamboll të krijohet një qendër koordinimi ku do të vendosen përfaqësuesit e palëve, raporton aa.

“Në takimin katërpalësh u arrit një marrëveshje për çështje teknike si kontrollet e përbashkëta në pikat e daljes dhe arritjes së portit si dhe garantimi i sigurisë gjatë lëvizjes së anijeve në det”, tha ministri turk dhe shtoi “Si rezultat, marrëveshja për parimet bazë ka kuptim edhe për ne. Shohim që palët janë të gatshme ta zgjidhin këtë problem. Ne do të përpiqemi të arrijmë një përfundim duke e kryer këtë në koordinim me OKB-në”.

Ai tha se “javën e ardhshme, delegacionet ukrainase dhe ruse do të takohen sërish në Turqi dhe të gjitha detajet do të shqyrtohen”.

Ndryshe, afro 4900 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas shifrave të OKB-së.

Mbi 15 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë më shumë se 8.4 milionë që kanë ikur në vende të tjera.

Go to TOP