Arrestohet një polic për spiunazh, Sveçla: Po çmontohen rrjetet
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar është arrestuar një polic gjatë operacionit kundër spiunazhit
Sveqla ka theksuar se aksioni është shumë i rëndësishëm dhe që e rrit sigurinë.
“Po, është e vërtetë. Dua të përgëzoj Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratin Policor të Kosovës edhe Prokurorinë për këtë aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm. Më shumë detaje nuk mund të ju jap, sinqerisht po ju them e rrit nivelin e sigurisë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.
Sfeçla ka reaguar edhe në Facebook, duke theksuar se po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë
Sveçla, ka thënë se pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtiç, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.
Sipas tij, ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Ka shtuar se njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj së Kosovës.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë. Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe”, ka thënë ai. /Kosova.info/
