Arrestohet një person i kërkuar me disa urdhëresa aktive të gjykatës
Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë në Skenderaj një person të kërkuar me disa urdhëresa aktive të gjykatës.
Sipas njoftimit, më datë 10.01.2026, rreth orës 18:00, Policia e Kosovës në Skenderaj ka ndaluar për kontroll një automjet me targa të Bosnjë e Hercegovinës.
“Gjatë verifikimit, është konstatuar se personi i ndaluar kishte ndërruar mbiemrin, mirëpo pas verifikimeve të hollësishme është vërtetuar se i njëjti ishte person i kërkuar me tri urdhëresa aktive nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe dy letërreshtime nga Gjykata Themelore në Gjilan”, ka njoftuar Policia.
Sipas autoriteteve, personi ishte në kërkim për disa vepra penale, përfshirë: dëmtim apo asgjësim të pasurisë, trafikim me njerëz dhe falsifikim të dokumenteve.
Bazuar në urdhëresat gjyqësore, i dyshuari ishte i dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 8 muaj. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.
