Arrestohen katër persona të dyshuar për trafikim të armëve dhe eksplozivëve
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose mjeteve plasëse”, sipas nenit 364 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia njofton se operacioni është kryer nga Sektori i Hetimeve i Departamentit të Kufirit, me mbështetje nga njësi të tjera relevante, dhe është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë hetimeve janë bastisur gjithsej tetë lokacione në rajonin e Prishtinës.
Si rezultat i bastisjeve, policia ka sekuestruar: një pushkë automatike AK-47, njëzet e tre fishekë, dy karikatorë, një bajonetë, një thikë, 78 gram substancë të dyshuar narkotike dhe shtatë telefona celularë.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme, me urdhër të prokurorit të rastit, katër të dyshuarit – të gjithë meshkuj kosovarë – janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e mundshme të personave të tjerë të përfshirë. /Kosova.info/
