Arrestimi i serbëve në Kosovë, ekspertët diskutojnë rrezikun për sigurinë

Në emisionin “Speciale” në RTK, u diskutua për arrestimin e serbëve të dyshuar për spiunazh në Kosovë. Të ftuarit në studio, Rrahman Sylejmani, Shkelzen Sopjani e Kadri Kastrati, theksuan nevojën për më shumë vigjilencë nga institucionet e sigurisë për të përballuar kërcënimet e sigurisë, veçanërisht nga Serbia, e cila sipas tyre vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në destabilizimin e vendit.

Koloneli në pension Rrahman Sylejmani, theksoi se kërcënimi kryesor për destabilizimin e Kosovës vjen nga Serbia, duke nënvizuar se kjo është e njohur tashmë. Ai shpjegoi se, sipas tij, ngjarja e arrestimit të serbëve të dyshuar nuk ka përmbushur kriteret për thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës. “Për këtë çështje në rend të parë i bie barra institucioneve që janë në detyrë për të thirrur mbledhje të tilla për çështje të sigurisë”, tha Sylejmani. Ai gjithashtu përmendi përfshirjen e dy pelegrinëve në grupin e të burgosurve dhe rastin e Banjskës, duke shtuar se Serbia po cenon integritetin territorial të Kosovës. 

Sylejmani pati vërejtje për punën e shërbimeve inteligjente të sigurisë, duke theksuar se ato do të duhej të ishin në krye të detyrës. “Policia e Kosovës dhe Policia Kufitare kanë sisteme të menaxhimit kufitar ku është ‘stop lista’ dhe kur dikush kërkohet, qoftë prej Gjykatës, qoftë nga ndonjë institucion tjetër, i kërkohet ndalimi i hyrjes në Kosovë, kështu që ngjarja e tanishme për mua si një lloj viktimizimi të panevojshëm, bile me ndikim negativ edhe për popullatën e gjerë”, tha ai.

Shkelzen Sopjani, ish-kryeinspektor në AKI, theksoi se inteligjenca mbledh fakte, por ato nuk mund të përdoren si prova në gjykatë, sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. “Faktet e marra nga inteligjenca, as me kodin penal, as me kodin e procedurës penale dhe as me Ligjin e AKI-së nuk mund të përdoren si prova në gjykatë, por ato merren si fakte”, shpjegoi Sopjani. 

Sopjani, duke folur për ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik, theksoi se rreziku konstant për ato shtete nga Rusia vjen nga shfrytëzimi i vendeve të pelegrinazhit dhe të kultit fetar, të cilat janë ideale për kamuflimin e shërbimeve sekrete me qëllim krijimin e destabilizimit në këto vende.

Ai vuri në dukje se AKI nuk ka mandat arresti, siç ka BIA në Serbi. “Ne nuk mund ta vlerësojmë vigjilencën a mos-vigjilencën e institucioneve të sigurisë, sepse AKI nuk ka mandat arresti, siç ka BIA në Serbi”, theksoi Sopjani.

Kadri Kastrati, gjeneral në pension, foli për situatën në veri të Kosovës dhe angazhimin e grupeve të organizuara serbe, siç është “Brigada Veriore”. Ai theksoi se këta grupe janë shndërruar nga ‘Rojat e Urës’ në ‘Mbrojtja Civile’, dhe tani janë një formacion ushtarak i përgatitur në fusha të ndryshme ushtarake. “Ata nuk do ta lënë veriun të qetë, qoftë më bomba, qoftë me sulme individuale”, theksoi Kastrati. Ai gjithashtu shtoi se, si në Kroaci dhe Bosnje, edhe në Kosovë çdo gjë ka filluar nga kishat serbe: “Si në Kroaci, si në Bosnje, ashtu edhe në Kosovë, çdo gjë ka filluar nga kishat serbe.”


Go to TOP