Arifi me akuza të ashpra ndaj Kurtit: Një votë për të është votë për më pak Kosovë dhe më shumë Beograd
Ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka reaguar ashpër në prag të zgjedhjeve duke i bërë thirrje qytetarëve që të mos votojnë për kryeministrin në detyrë Albin Kurti duke e akuzuar atë për mashtrim, koordinim me Beogradin dhe dëmtim të interesave kombëtare.
Përmes një postimi publik, Arifi tha se çdo qytetar që voton Kurtin duhet të jetë i vetëdijshëm për pasojat e kësaj vote duke e cilësuar qeverisjen e tij si “regjim super-sarkastik” ndaj vetë votuesve dhe simpatizantëve.
Ai pretendoi se Kurti i sheh qytetarët vetëm si mjet për të arritur pushtetin dhe shtroi pyetjen se çfarë mund të presin qytetarët nga ai, kur sipas tij nuk ka treguar ndjeshmëri as ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
Arifi e akuzoi Kurtin edhe për pasurim në kurriz të qytetarëve, për koordinim të fshehtë me Beogradin, si dhe për mbështetje të Asociacionit në veri të Kosovës. Po ashtu, ai tha se qeveria aktuale ka dështuar të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët, sipas tij, po përballen me procesin e pasivizimit të adresave.
Në reagimin e tij, Arifi e cilësoi qeverisjen e Kurtit si një regjim të majtë marksist, të korruptuar dhe kundër medias së lirë, ndërsa shtoi se diaspora po manipulohet me narrativa që, sipas tij, nxisin urrejtje.
“Nesër, bëni çfarë të doni, por ta dini se një votë për Kurtin është një votë për më pak Kosovë e më shumë Beograd, më pak Kosovë Lindore e më shumë pavarësi serbe në Veri, për më shumë kolonizim serb e më pak shqiptarë në Kosovë”, ka deklaruar Arifi.
Në fund të mesazhit të tij, ai tha se koha do të dëshmojë vërtetësinë e paralajmërimeve që po bën duke e mbyllur reagimin me thirrjen: “Mos thuaj që s’e ke ditë!”. /Kosova.info/
