Spahiu: Do të punoj që RTK-ja të jetë në shërbim të plotë të publikut
Pasi u zgjodh Drejtoreshë e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga Bordi i RTK-së, Zana Spahiu ka reaguar duke falënderuar anëtarët e Bordit për besimin e dhënë.
Në reagimin e saj, Spahiu e cilësoi emërimin si një nder të madh, por edhe si një përgjegjësi të jashtëzakonshme, duke u zotuar se detyrën do ta ushtrojë me integritet, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.
Ajo theksoi se RTK-ja ka nevojë për hapa të mëdhenj, të cilët, sipas saj, mund të arrihen vetëm përmes angazhimit të përbashkët për ruajtjen dhe zhvillimin e transmetuesit publik të Kosovës.
“RTK-ja ka nevojë për hapa të mëdhenj, e ata nuk mund të bëhen vetëm. Prandaj, na duhet angazhimi i përbashkët për ta ruajtur dhe zhvilluar transmetuesin e vetëm publik të Kosovës, duke e avancuar atë në çdo fushë dhe në çdo departament”, ka shkruar Spahiu.
Ajo shtoi se do të punojë që RTK-ja të jetë një dritare e informimit, edukimit dhe argëtimit, duke zbatuar plotësisht mandatin e përcaktuar me Ligjin për RTK-në dhe duke qenë në shërbim të plotë të publikut.
“Ju falënderoj për besimin. Na priftë e mbara!”, përfundoi Spahiu në reagimin e saj.
