Arben Gashi: Kuvendi nuk është teatër heshtjeje – rregullorja nuk mund të ndalë debatin për krizën politike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj mbylljes së debatit në Kuvendin e Kosovës duke e cilësuar të papranueshme justifikimin se “rregullorja nuk lejon debat” për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Në një reagim publik, Gashi ironizoi gjendjen e tanishme të parlamentarizmit në vend duke thënë se deputetët “ftohen të heshtin”, partitë “ftohen të mos komunikojnë”, dhe se “zgjidhjet pritet të bien nga qielli”.
“Na thuhet se rregullorja nuk lejon debat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Po kush e ndalon debatin për gjendjen politike? Kush e ndalon idenë? Apo ndoshta frika nga fjala është bërë më e madhe se vetë kriza?”, shkroi Gashi.
Ai kujtoi vitin 2014, kur si pjesë e koalicionit VLAN së bashku me Vetëvendosjen, merrnin fjalën, kërkonin zgjidhje dhe ballafaqonin ide. “Sot? Heshtje! Sepse rregullorja ‘nuk lejon'”, shtoi ai.
Gashi theksoi se Kuvendi duhet të jetë vendi i debatit, ideve dhe zgjidhjeve, dhe jo një teatër i heshtjes me “regji ditore politike”. Ai paralajmëroi se në mungesë të këtij funksioni, kriza politike nuk do të zgjidhet në institucione, por do të përkeqësohet më tej në rrjete sociale, kafene apo përmes “horoskopit”. /Kosova.info/
