KombëtareTop Lajmi

Anija e parë me grurë nga Ukraina mbërrin në Shqipëri

Anija e parë e ngarkuar me mbi 6 mijë tonë grurë nga Ukraina, ka mbërritur në Portin e Durrësit në mëngjesin e 10 gushtit. Anija turke “Jaohar Ranim” ka udhëtuar për 12 ditë nga një port ukrainas drejt Shqipërisë.

Gruri i ardhur, destinacion final e ka një kompani në Tiranë.

Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara më 22 korrik.

Sipas kësaj marrëveshjeje, anijeve të Ukrainës që eksportojnë grurë, misër dhe vaj, u sigurohet një korridor i sigurt, me Rusinë që është pajtuar të mos i shënjestrojë ato.

Para fillimit të luftës, dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina.

Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë në krizë çmimesh pas lëkundjeve në treg për shkak të vështirësive me furnizim me naftë dhe gaz si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë dhe sanksioneve të vëna nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj Rusisë.

Ndonëse shteti nuk ka varësi të drejtpërdrejtë nga gazi dhe nafta ruse, Shqipëria aktualisht nuk i përmbushë nevojat e saj energjetike, duke u detyruar që një sasi të konsiderueshme të energjisë ta importojë me çmime të larta nga bursat ndërkombëtare.

Kjo gjendje ka rënduar koston e jetesës në Shqipëri, një ndër shtetet me bruto prodhimin më të vogël në Evropë.

Rritja e vazhdueshme e kostos së jetës në Shqipëri, ku rroga mesatare është 490 euro dhe niveli i varfërisë sipas Bankës Botërore arrin në rreth 30 për qind të popullsisë, ka nxitur protesta në mbarë Shqipërinë.

Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës, duke vendosur sanksione kundër Rusisë, si dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.

Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra, ekonomike dhe diplomatike, kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Shfaq më shumë
Back to top button
escort mersin - izmir escort