Anglia dominon Ukrainën, në gjysmëfinale e pret Danimarka

Nuk mund të ndodhte ndryshe, Anglia ishte superfavorite dhe arrin të respektojë parashikimet teksa dominoi Ukrainën me rezultatin e thellë 4-0. “Tre Luanët” po rriten nga ndeshja në ndeshje dhe tani e shikojnë veten në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian ku e pret Danimarka.

Në “Olimpico”, në prani të shumë pak tifozëve anglezë për shkak të ndalimit nga UEFA, skuadra e Southgate nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren ndaj Ukrainës dhe që në minutën e 4’, Harry Kane zhbllokoi sfidën dhe u çlirua edhe vet me golin e dytë në këtë Europian.

Edhe pse ekipi i Shevchenkos nis të reagojë dhe në dy raste mund të shënonte, janë sërish anglezët që gjejnë golin menjëherë në startin e pjesës së dytë, me një tjetër Harry, kësaj radhe Maguire që dyfishon rezultatin.

Goli i jep më shumë liri anglezëve dhe 4 minuta më vonë është sërish Harry Kane që me kokë e çon në 3-0 rezultatin dhe mbyll përfundimisht shanset e Ukrainës.

Dominimini nga “Tre Luanët” vijon dhe ka moment feste edhe për Jordan Henderson i cili edhe pse ka një jetë që luan me kombëtaren, shënon pikërisht ndaj Ukrainës golin e tij të parë me këtë fanellë.

Gjithsesi mbaron këtu dhe Anglia me meritë e me spektakël arrin në gjysmëfinalen e Euro 2020 ku tani do të përballet me Danimarkën.

Go to TOP