Analistët në Beograd nuk presin që dinari të rikthehet në qarkullim

Në prag të takimit në Bruksel, për të cilin emisari evropian Miroslav Lajçak tha se shpreson që mosmarrëveshjet e mbetura të tejkalohen, në Beograd nuk pritet që të arrihet një zgjidhje përfundimtare. Mirëpo, ka pritje që të shqyrtohen opsionet për periudhën e ardhshme të tranzicionit.

“Pres që të diskutohen zgjidhje alternative për dërgimin e dinarëve tek përdoruesit në Kosovë. Këtu nuk ka diskutim nëse dinari do të mbetet apo jo, kjo nuk është as reale. Pres që të bien dakord për disa detaje të tjera teknike, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e përdorimit të veturave mobile të bankës shtetërore e postës, se si të tolerohet puna e tyre për muajt e ardhshëm. Prandaj unë pres që kjo do të jetë një situatë e përkohshme derisa të zgjidhet një ekip i ri ndërmjetësit evropian”, tha për RTK Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike.

Sipas analistëve gjëja më e rëndësishme është që të këtë zgjidhje që nuk e komplikon më tej pozitën e qytetarëve që marrin pagat, pensione dhe ndihmat në dinarë.

“Në këtë moment po flasim për të drejtat e qytetarëve që përfitojnë beneficione dhe funksionojnë me mbështetjen e Serbisë. Dhe me vendimin e saj Kosova nuk duhet të vështirëson pozitën e serbëve, dhe mendoj se kërkesat lidhur me këtë janë në përputhje me të drejtat e njeriut dhe atë që BE-ja pret në këtë proces negociator”, tha juristi Millan Antonijeviq.

Më herët presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se Serbia nuk mund dhe nuk do ta pranojë vendimin për heqjen e dinarit në Kosovë.

Sipas paralajmërimeve, delegacioni serb do të shkojë në Bruksel me propozime konkrete, ndërsa pret që Kosova të tregojë gatishmërinë e saj për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Go to TOP