Anija turistike me 1500 pasagjerë ngec në portin e Spanjës për shkak të problemeve me viza të pasagjerëve bolivianë

Një anije lundrimi që raportohet se transportonte 1500 pasagjerë, u bllokua të mërkurën në portin verilindor spanjoll të Barcelonës për shkak të problemeve me viza të një grupi pasagjerësh bolivianë që do të zbarkonin atje, thanë zyrtarët, raporton AP.

Autoritetet thonë se 69 bolivianë nuk po lejohen të largohen nga anija sepse u mungojnë dokumentet e vlefshme për të hyrë në zonën Shengen.

Zyrtarët e qeverisë spanjolle në qytet thanë se janë në kontakt me autoritetet boliviane dhe kompaninë MSC Cruises për të zgjidhur situatën. Anija kishte lundruar nga Brazili për të mbuluar një rrugë në Detin Mesdhe.

Agjencia shtetërore spanjolle e lajmeve Efe dhe media të tjera thanë se rreth 1,500 pasagjerë ishin ndërkohë në bordin e MSC Armony duke shpresuar të vazhdonin lundrimin për në Kroaci.

Një deklaratë nga Ministria e Jashtme Boliviane të martën tha se Ambasada Boliviane në Spanjë dhe Konsullata e Përgjithshme e vendit në Barcelonë “po kryejnë hapat përkatës për të adresuar këtë rast”, duke u koordinuar me autoritetet spanjolle, si dhe me kompaninë MSC Cruises.

Tutje thuhet se “pasagjerët dukej se kishin dokumentacionin e duhur pas hipjes në Brazil. Ne jemi informuar nga autoritetet se vizat nuk janë të vlefshme për hyrje në zonën Shengen. Si rezultat, pasagjerët nuk kanë mundur të zbarkojnë në Barcelonë, që ishte destinacioni i tyre përfundimtar”.

Kompania tha se anija mbeti në port teksa punon me autoritetet për të lehtësuar procesin.

Go to TOP