Analistët: Mungesa e mbështetjes partiake vështirëson rikandidimin e Osmanit

Analistët politikë gjatë debatit të sotëm në “RTK Prime” kanë paralajmëruar se mungesa e mbështetjes nga partitë kryesore e vështirëson rikandidimin e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

Kur kanë mbetur vetëm 8 ditë deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, sipas analistëve situata aktuale e rrit mundësinë e bllokimeve politike dhe në rastin më ekstrem edhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Analisti Melazim Koci, tha se asnjëra nga partitë nuk i ka numrat për zgjedhjen e presidentit, prandaj kandidati pritet të vijë nga njëra prej tri partive të mëdha.

Ai theksoi se një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur kishte thënë se nevojitet konsensus mes partive. Sipas tij, Kurti e ka bërë të qartë se nuk e ndan pushtetin dhe nuk hyn në qeverisje me asnjë parti tjetër.

“Nuk mund t’i kërkohet Kurtit që t’i ketë 15 numra, andaj duhet të ketë marrëveshje – marrëveshje ose me PDK-në ose marrëveshje me LDK-në ose me PDK-në dhe LDK-në bashkë, pasi që ka deputetë nga LDK që s’do të qëndrojnë në sallë”, tha Koci.

Ai tutje tha se opozita duhet të jetë bashkëpunuese në vazhdim, në mënyrë që të gjendet një emër i përbashkët për president, pasi që, sipas tij, është e pamundur të shkohet në bashkëqeverisje. Koci shtoi se me ftesën e Albin Kurtit ndaj partive të opozitës është përjashtuar mundësia për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Me faktin që Kurti është tërhequr dhe nuk ia ka ofruar zonjës Vjosa Osmani 30 nënshkrimet, edhe opozita duhet të bashkëpunojë, sepse e ka mundësinë të bashkëpunojë dhe jo të kërkojë bashkëpjesëmarrje në qeverisje, por të insistojë në një kandidat që është i pranueshëm edhe për ta”, shtoi Koci.

Analistja Fatime Hajdari tha se, siç shihet, partitë politike nuk kanë gatishmëri për të mbështetur presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat presidencial.

Megjithatë, sipas saj, ky është lajm i keq, sepse vlerëson se Osmani për 5 vite si e para e shtetit e përfaqësoi Kosovën mirë e solli njohje të reja.

“Tashmë jemi në situatën ku jemi, siç shihet partitë politike nuk kanë gatishmëri për të mbështetur Osmanin edhe për një mandat. Konsideroj që ky është jo një lajm i mirë për Kosovën marrë parasysh performancën e zonjës Osmani. Konsideroj që Osmani në pozitën që ka mbajtur për 5 vite na ka përfaqësuar mirë. Përtej kësaj, paraqitjet e saj, imazhi i Kosovës përtej sfidave të krijuara herë pas here ka arritur të depërtojë edhe në arenën ndërkombëtare. Subjektiviteti i Kosovës gjatë kësaj periudhe edhe pse e vështirë, ka arritur të kosonsolidohet. Gjatë kësaj kohe sa ajo ka qenë presidente, kemi pasur 4 njohje të reja, pastaj kemi këtë iniciativën e re për Bordin e Paqes dhe bashkërendimin me Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

Hajdari tha se kjo situatë rrezikon ta qojë vendin në një palë zgjedhje të tjera, e sipas saj, jo që do të bënin ndonjë zgjidhje, sepse thotë se pa një konsensus të gjerë nuk mund të ketë president shteti.

Tutje, Hajdari në RTKPrime përmendi edhe përfoljet që emri i presidentit të ri mund të jetë nga familja Jashari, megjithëse tha se për këtë nuk ka ndonjë konfirmim.

“Po flitet në qarqe të ndryshme, por nuk e kemi një konfirmim zyrtar që kandidat mund të jetë dikush nga familja Jashari, një familje që ka dhënë pa diskutim shumë për Republikën e Kosovës, një familje që ne kemi  respekt. Por, përtej kësaj nuk e di a kanë gatishmëri për të zhbllokuar situatën, dhe pastaj çka nëse emri i dikujt sillet në Kuvend, por nuk ka prapë gatishmëri prej subjekteve politike, sa do të lëndohej imazhi, reputacioni , gjithçka që familja përfaqëson, unë këtë gjë nuk e di. Dhe nuk e di a ka marrëveshje për një gjë të tillë”, tha ajo.

Ndërkaq, Sadik Zeqiri tha se zhvillimet e fundit tregojnë një qëndrim të ri politik. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti me deklaratat e djeshme para mediave pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka treguar që nuk do ta mbështesë Vjosa Osmanin.

“Dhe nuk do ta propozojë Vjosa Osmanin, por ndoshta as nuk do t’i japë numrat apo nënshkrimet nga deputetët e tij për nominimin e saj për presidente. Duket se Albin Kurti e ka lutur apo i ka kërkuar Osmanit që ajo t’i kërkojë apo sigurojë nënshkrimet dhe më pas t’i hyjë garës, dhe duket se Vjosa Osmani nuk ka arritur që t’i bindë edhe 6 deputetë nga Lista Guxo, e cila me siguri se do ta mbështesë Vjosa Osmanin dhe 24 nënshkrime të tjera. Duket se Kurti nuk do t’ia ofrojë ato nënshkrime dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë fare garantuese dhe nuk do të jetë ajo që do ta propozojë kandidaturën e Vjosa Osmanit në Kuvend”, tha Zeqiri.

Sipas tij, Kurti nuk e parasheh as Lidhjen Demokratike të Kosovës si mbështetje në këtë kandidaturë dhe se po ashtu kësaj partie nuk do t’ia mbështesë kandidatin.

Ai shtoi se qëllimi i Kurtit ka qenë të sigurojë votimin e buxhetit dhe të përfshijë edhe parti të tjera në qeverisje, duke u ofruar 3 apo 4 ministri.

Ai theksoi se në politikë nuk ka përjashtime: “Edhe Bedri Hamza ka thënë se nëse formohet qeveria edhe formohen institucionet, ne nuk do të shkojmë kurrë në bisedime me Kurtin, dhe ai i hanger fjalët e tij, shkoi tek Kurti”, tha Zeqiri.

Dorajet Imeri tha se përplasjet e fundit në LDK janë një nga arsyet pse, sipas tij, zonja Vjosa Osmani nuk mund të bëhet presidente.

“Albin Kurti atje ka shkuar (takimi me opoziten), si bashkëpunues, dhe fakti që nuk e propozon Vjosa Osmanin duket në sytë e opozitës si gatishmëri për bashkëpunim dhe kjo është pozitive për Kurtin dhe me këtë ai po e shmang faturën që ai po e përgatit vendin për të shkuar në zgjedhje. Kurti po i eliminon pengesat rrugës dhe marrëveshjet politike po i arrin duke e konsoliduar ai pushtetin”, tha Imeri.

Ai deklaroi se duke mos e kandiduar zonjën Osmani, Kurti synon të minimizojë rolin e opozitës deri në momentin kur çdo zgjidhje tjetër të duket kompromis për këto parti politike.

“Krejt këto arritje po bëhen kur Kurti i ka 66 vota fort të rehatshme në Kuvendin e Kosovës… ai po e eliminon mundësinë e zonjës Osmani për t’u kandiduar sepse po i thotë se ish partnerët tuaj LDK-ja edhe me marrëveshje politike nuk i kanë votat për zgjedhjen tënde, tek PDK s’kemi çka presim sepse s’i ke votat tek ata… kjo goditje ka shkuar tek zonja Osmani”, vlerësoi Imeri.


Go to TOP