Analistë e gazetarë në Serbi: Po përballemi me presione e kërcënime
Pavarësisht nëse po punojnë për pajtim, kujtim të viktimave dhe të vërtetën apo thjesht për drejtësi, aktivistët dhe gazetarët e pavarur në Serbi përballen me presione dhe kërcënime në rritje.
Një nga shembujt më të fundit janë kërcënimet e organizatave ekstremiste ndaj Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut me rastin e organizimit te festivalit “Mirëdita, Dobar dan”. Sofija Todoroviq nga kjo Iniciativë thotë se aktivistët nuk po dorëzohen.
“Unë kam vendosur që frika nuk është opsion. Të gjitha këto bëhen me dëshirën për të na frikësuar, dhe nëse e dini se jetoni në një vend ku institucionet nuk po bëjnë punën e tyre, frika nuk do t’ju mbrojë. Mendoj se mospërputhja është detyrë e të gjithë neve që mendojmë lirshëm, dëshirojmë dhe besojmë se dialogu në këtë vend duhet të duket ndryshe”, tha Todoroviq.
Pushteti aktual, simpatizantët e saj dhe media vazhdimisht etiketojnë popujt e rajonit si armiq, por edhe aktivistët dhe gazetarë të pavarur janë gjithnjë e më shumë në shënjestër. Ata etiketohen si tradhtarë, dhe janë përballur me fushata të urrejtjes, pengesat në punë, madje edhe sulme fizike. Në shumicën e rasteve nuk ka reagim serioz institucional, thotë Dragosllava Barzut nga organizata Iniciativa Qytetare.
“Vëmë re një derogim të madh të të drejtave të arritura deri më tani, gjë që reflektohet në sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Serbia është një vend që nuk e njeh kategorinë e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në sistemin e saj legjislativ, ndërsa zgjidhja është rruga institucionale, që autoritetet kompetente të reagojnë, sepse këto janë raste veçanërisht të rrezikshme dhe alarmante për shoqërinë”, theksoi Barzut.
Sipas vlerësimeve, kjo është një nga periudhat më të vështira për aktivistët dhe gazetarët e pavarur në Serbi. Të pakënaqur me punën e institucioneve, aktivistet theksojnë se mbështetja e qytetarëve dhe publikut, si dhe reagimi ndërkombëtar është çelësi për mbrojtjen e atyre që luftojnë për një Serbi më të mirë.