Ambasadori britanik në Beograd e sheh modelin e Irlandës së Veriut si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori britanik në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se modeli i Irlandës së Veriut mund të jetë një nga zgjidhjet e mundshme për një kompromis në dialogun Kosovë-Serbi.

Duke komentuar deklaratën e të dërguarit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach se modeli i Irlandës së Veriut mund të jetë një zgjidhje e mundshme në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ambasadori britanik në Serbi tha se, pasi ai vetë është nga Irlanda e Veriut, mund të konfirmojë se nga kjo marrëveshje kanë përfituar të gjitha komunitet në Irlandën e Veriut.

“Nuk mendoj se Lordi Pich ka dashur të thotë se ky është një model i thjeshtë për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por ai sigurisht ka treguar se me vullnet politik është e mundur të zgjidhen edhe mosmarrëveshjet më komplekse në lidhje me sovranitetin dhe identitetin”, është shprehur Ferguson në një intervistë për mediumin serb Blic.rs.

“Një tjetër detaj interesant me Irlandën e Veriut.  I gjithë procesi ishte i drejtuar nga lart-poshtë dhe “nga poshtë-lart”. OJQ-të, veçanërisht ato të grave, luajtën një rol kyç në inkurajimin e marrëveshjes dhe sigurimin që nga marrëveshja e paqes të përfitonin njerëzit e zakonshëm, jo vetëm liderët politikë. Për sa i përket situatës në Ballkan, lajmi i mirë është se Beogradi dhe Prishtina ranë dakord për atë që duhet bërë vitin e kaluar në Ohër”, thotë Ferguson.

Ai thekson se problemi është progresi i pamjaftueshëm në aspektin e zbatimit.

“Ne kemi parë përparim të konsiderueshëm në disa çështje. E mirëpritëm marrëveshjen për njohjen e targave dhe vulave doganore, si dhe përdorimin e energjisë. Megjithatë, të dyja palët kanë qenë të ngadalta në përmbushjen e detyrimeve më të gjera që kanë marrë. Për shembull Kosova ende nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thotë ai.

Diplomati britanik gjithashtu e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me Manastirin e Deçanit.

“Ne besojmë se Kosova duhet t’i zbatojë zotimet e bëra shumë kohë më parë për formimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Njëkohësisht mirëpresim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të futur në kadastër 25 hektarë tokë që i përkasin Manastirit të Deçanit. Britania ka kohë që e inkurajon këtë hap në bashkëpunim me Qeverinë e Prishtinës dhe KPS-në. Jemi të kënaqur që më në fund kjo çështje është zgjidhur”, ka thënë ambasadori britanik Edward Ferguson.

Go to TOP