Ambasadori amerikan: Mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së nga Kosova, marrëveshja do të sjellë përfitime
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovës, Jeff Hovenier, ka mirëpritur pranimin në parim të propozimit të Bashkimit Evropian apo planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Hovenier në Twitter ka theksuar se do të vazhdojnë mbështetjen për dialogun.
“Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe e mirëpresin vendimin nga Kosova edhe për ta pranuar në parim Propozimin e BE-së, dhe ne do të vazhdojmë që ta ofrojmë përkrahjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka thënë se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime për Kosovën dhe Serbinë.
“Marrëveshja e përkohshme do t’u sjellë përfitime domethënëse Kosovës dhe Serbisë.” – përfundon shkrimi i tij.
Ndërkohë, Lajçak ka paralajmëruar takime të nivelit të lartë teksa ka thënë se është i “lumtur” që Kosova “tani” pranoi planin franko-gjerman.
“Udhëtova në Prishtinë për të takuar kryeministrin @albinkurti dhe zv. kryeministrin @BislimiBesnik dhe në Beograd për të bërë të njëjtën gjë me @predsednikrs @avucic dhe @PetkovicPetar. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi Propozimin në parim. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë.” – ka shkruar Lajçak në Tëitter.
Në anë tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Lajçakun theksoi se Kosova e pranon propozimin e BE-së.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje.” – ka shkruar Kurti në Tëitter.
Ndryshe pas pranimit të planit, partitë opozitare kanë kritikuar Kurtin për mos-transparecë dhe ndryshim të qëndrimeve.
PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar se Kurti me pranimin e propozimit të BE-së, ka pranuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë takim të niveleve të larta.
