Ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë: Qeveria dhe presidenti të zgjidhen përmes bashkëpunimit

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress kanë folur për zgjedhjet në Kosovë që u mbajtën të dielën që shkoi dhe pritshmëritë pas tyre.

Hargreaves u shpreh se duhet pranuar që Kosova tashmë ka fituar shumë përvojë në organizimin e zgjedhjeve, teksa u shpreh i gëzuar se sistemi softuerik i KQZ-së funksionoi “në mënyrë të përkryer”.

“Le ta pranojmë, Kosova tashmë ka fituar shumë përvojë në organizimin e zgjedhjeve. Ka pasur mjaft kohë për t’u ushtruar dhe, nga ajo që pashë unë, kjo përvojë po jep rezultate, ndërsa disa procedura po përmirësohen vazhdimisht. Gjithashtu u gëzova shumë kur u ulëm për të ndjekur rezultatet në televizion dhe pamë se sistemi softuerik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve funksionoi në mënyrë të përkryer. Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin që Mbretëria e Bashkuar ka pasur me KQZ-në në këtë drejtim, sepse që nga shkurti është bërë shumë punë e vështirë dhe mendoj se kjo ka rritur ndjeshëm besimin në procesin zgjedhor”, tha Hargreaves për KosovaPress.

Ndërsa, ambasadori gjerman Rudolph, tregoi se vizitoi disa qendra votimi në Graçanicë dhe rreth saj, ku tha se gjithçka ishte qetë dhe shumë profesionale, teksa shtoi se shpreson që zgjedhjet në Kosovë të mbahen një herë në katër vjet, njëjtë sikur Kampionati Botëror.

“Kam pasur përshtypje shumë të ngjashme. Siç thatë, vizitova disa qendra votimi në Graçanicë dhe rreth saj. Gjithçka ishte e qetë dhe shumë profesionale. Siç tha Jonathan, kishte shumë rutinë dhe është mirë të shohësh këtë proces duke funksionuar. Një fushatë zgjedhore mund të jetë emocionuese, por dita e zgjedhjeve duhet të jetë thjesht rutinë dhe e qetë, jo emocionuese. Por meqë e quajtët ‘Kupa e Kosovës’, shpresa ime personale është që kjo kupë, ashtu si Kampionati Botëror, të mbahet vetëm një herë në katër vjet. Nuk kam garanci për këtë, por do ta shohim”, tha Rudolph për KosovaPress.

Për pritshmëritë pas zgjedhjeve, Rudolph tha se për të pasur institucione stabile, nuk mjafton vetëm formimi i qeverisë, por duhet edhe zgjidhja e presidentit, gjë për të cilën tha se shpreson që të shohë bashkëpunim të gjerë ndërmjet klasës politike.

“Siç e dimë, për të pasur institucione stabile nuk mjafton vetëm formimi i qeverisë; duhet të zgjidhet edhe presidenti. Për këtë do të nevojitet bashkëpunim i gjerë ndërmjet klasës politike dhe shpresoj shumë që ta shohim këtë. Kjo do ta çojë vendin përpara dhe do të na mundësojë të punojmë më ngushtë së bashku për avancimin e agjendës sonë të përbashkët me Kosovën”, tha Rudolph.

Kurse, ambasadori britanik tha se Kosova ka nevojë të ecë përpara, të ketë parlament, qeveri dhe presidencë funksionale, që të mund të përballet me sfidat globale dhe çështjet e brendshme që qytetarët e Kosovës meritojnë t’i shohin të adresuara, e kjo gjë, siç u shpreh Hargreaves, është në duart e politikanëve.

“Mendoj se kjo është në duart e tyre. Kosova ka një kushtetutë shumë të mirë dhe të fortë. Ajo është hartuar qëllimisht për të nxitur partitë të punojnë së bashku. Nuk është konceptuar si një situatë ku njëra palë fiton dhe tjetra humb, por si një sistem që inkurajon zgjidhje fitim-fitim mes aktorëve të ndryshëm politikë. Prandaj baza ekziston. Tani u takon politikanëve, siç tha kolegu im, të punojnë së bashku dhe ta bëjnë këtë sistem të funksionojë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos gjejnë një mënyrë për ta arritur këtë. Unë do t’i inkurajoja fuqishëm që ta bëjnë, sepse pas pothuajse dy vitesh pritjeje për qartësi politike, vendi ka nevojë të ecë përpara, të ketë parlament, qeveri dhe president funksional, që të mund të përballet me sfidat globale dhe me çështjet e brendshme që qytetarët e Kosovës meritojnë të shohin të adresuara”, tha Hargreaves për KosovaPress.

Go to TOP