Altin Krasniqi: Këto duhet të jenë zgjedhjet e fundit pa çlirimtarët në skenën politike
Altin Krasniqi, djali i ish kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se do të kandidojë edhe një herë për deputet duke theksuar se vendimi këtë herë ka qenë më i vështirë për shkak të pritjes së vendimit final në Hagë.
Përmes një reagimi publik, ai u shpreh me shpresën që në fund të ketë drejtësi dhe jo vendim politik, ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit në këtë periudhë, si për çlirimtarët, ashtu edhe për qytetarët që, sipas tij, kanë nevojë për një PDK të fortë dhe të bashkuar.
“Këto duhet të jenë zgjedhjet e fundit pa figurat që kontribuuan jo vetëm në çlirim, por edhe në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
Ai bëri thirrje për durim dhe pjekuri politike duke shtuar se “dielli do të lindë përsëri”, ndërsa kritikoi pushtetin aktual, për të cilin tha se nuk duhet lejuar të “luajë karate me të ardhmen e vendit”.
Në fund të mesazhit të tij, Altin Jakup Krasniqi kërkoi mbështetje në zgjedhje duke u prezantuar me numrin 20 në listë. /Kosova.info/
