Albin Kurti nuk je i saktë kush e themeloi PSHDK-në

Shkruan: Nikë GJELOSHI

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, gjatë një interviste në RTK, më 27 dhjetor 2025, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se:

“Vitet e ’90-ta PSHDK nuk e ka pasur mundësinë të regjistrohet në sistemin e atëhershëm për shkak se e kishte në program bashkimin kombëtar. Atë parti e ka themeluar akademik Mark Krasniqi…”.

Meqë ishte dita e fundit e fushatës zgjedhore, nuk dëshirova të interferoj për të mos ndikuar eventualisht në zgjedhjet e së nesërmes, më 28 dhjetor 2025. Vendosa të shkruaj pasi të jenë kryer zgjedhjet.

Albin, nuk je i saktë në deklaratën se kush e ka themeluar PSHDK-në, sepse akademik Mark Krasniqi jo që nuk e ka themeluar PSHDK-në, por përkundrazi: ishte kundërshtar i themelimit të saj, e quante PSHDK-në “thikë në çështjen kombëtare” dhe “parti e Romës dhe e Vatikanit”. Vlerësim të ngjashëm bënte edhe gazeta “Borba” e Beogradit, në faqen e parë të saj (fundi i shtatorit 1990), me ndryshimin se: “…Nikë Gjeloshi dhe Nënë Tereza, me Vatikanin, formojnë Parti Demokristiane…”, duke e ilustruar shkrimin me fotografi të Nënë Terezës, ndërsa për Nikën vizatohej portret.

PSHDK veproi e paregjistruar në organet e ish-Federatës Jugosllave, ndërsa në maj të vitit 1992 u regjistrua në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës (nr. protokolli 001/92, Prishtinë, 2 maj 1992).

Krasniqi, rreth 80-vjeçar, pas katër vjetësh nga themelimi, pa qenë as anëtar, instalohet në krye të PSHDK-së (në vitin 1994), mbase pasi ishte kuptuar se një grup themeluesish të PSHDK-së ishin konsultuar me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova për mundësinë që “Nikë Gjeloshi të kthehet nga jashtë, nga qeveria e ekzilit, dhe ta udhëheqë PSHDK-në”, edhe si një nga themeluesit e saj dhe autor i Referendumit të shtatorit 1991 “për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”, etj.

Por, me të drejtë, Presidenti Rugova u ishte përgjigjur: “Nika nuk mund të kthehet, sepse sakrifikohet!”. Dhe më vonë, si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në ekzil, unë do të dënohem, në mungesë, me burgim të rëndë nga Gjykata Supreme Ushtarake e RFJ-së në Beograd, për organizim të kryengritjes së armatosur kundër Jugosllavisë së Millosheviqit.

Përveç se e ndryshon shumicën e strukturës së PSHDK-së pa u diskutuar në Kuvend, Krasniqi e heq nga Programi edhe bashkimin kombëtar, për çka unë, i cili i kisha dhënë Partisë emrin “shqiptare” (e kisha vendosur si kusht themelimin dhe hyrjen në parti me emërtimin “shqiptare” dhe hartimin e Programit të saj), dhe që nuk kisha pranuar zbatimin e vendimit të organit të judikaturës së ish-Federatës Jugosllave për heqjen nga Programi të nocioneve “komb”, “shtrirja organizative edhe jashtë Kosovës kudo ka shqiptarë” dhe “bashkimi kombëtar”, u procesova penalisht nga ai organ i ish-Federatës.

Heqjen e bashkimit kombëtar nga Programi e kundërshtojnë disa nga themeluesit dhe udhëheqësit e degëve të PSHDK-së, të cilët ia publikojnë Krasniqit veprimtarinë e tij antikombëtare që nga koha kur ishte delegat i Kuvendit të Prizrenit (8, 9 dhe 10 korrik 1945), sipas të cilit Kuvend u anulua Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944) dhe Kosova iu bashkua Serbisë federale.

Ata që mbrojtën përcaktimin programor të bashkimit kombëtar u përjashtuan nga PSHDK-ja. Në Kosovë u përjashtuan 22 degë të Deçanit dhe 14 degë të Klinës, ndërsa në Zvicër u përjashtuan disa nga themeluesit e degëve të para, të themeluara në mars 1991 nga unë, në cilësinë e nënkryetarit të PSHDK-së. Në ato themelime degësh (në St. Gallen, Cyrih etj.), u hoq ylli nga Flamuri Kombëtar Kuq e Zi dhe të ftuarve, subjekteve të tjera politike dhe Lëvizjes Popullore, u shpjegohej se me heqjen e yllit nga flamuri po i paraprihej edhe shtetit shqiptar. Që nga ajo kohë, Flamuri Kombëtar do të shfaqej pa yll ndër shqiptarë.

Nga rreth 85 mijë shqiptarë që ishin anëtarësuar në PSHDK për disa muaj nga themelimi, në Kosovë dhe diasporë (të të dy përkatësive fetare), po përmend Organizatën e Lidhjes së Rinisë së Malishevës së Gjilanit (rreth 300 të rinj), e cila, siç deklarohej, në respekt ndaj meje për shkak të rezistencës sime ndaj ndryshimeve kushtetuese të viteve 1988/89 dhe për emërtimin “parti shqiptare” e programin për bashkim kombëtar, u anëtarësua e tëra në PSHDK.

Me heqjen e bashkimit kombëtar nga Programi, përjashtimet jashtëstatutare të disa strukturave partiake etj., gjatë udhëheqjes së Krasniqit, PSHDK u tkurr në më pak se 20 mijë anëtarë (brenda dhe jashtë vendit). Në fund, ai arriti ta ndajë partinë më dysh, u dëbua nga LDK-ja dhe u strehua në LDD, ku iu garantua një ulëse në Parlament, dhe përfundimisht u shkëput nga politika.

Për këto dhe zhvillime të tjera në PSHDK është folur e shkruar jo vetëm nga unë, por edhe nga shumë themelues dhe aktivistë demokristianë, në Kosovë dhe diasporë. Të gjitha ato shkrime mbi veprimtarinë dhe zhvillimet politike, mbi sakrificën dhe kontributin për çështjen kombëtare, por edhe për dëmet e shkaktuara PSHDK-së dhe kauzës në përgjithësi, mund të gjenden edhe në Google.

Prandaj, themeluesve të PSHDK-së duhet t’u kërkoni falje për deklaratën e pasaktë të bërë në intervistën e 27.12.2025 në RTK, se kush e ka themeluar PSHDK-në.

Në fund, ju uroj fitore në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit 2025.

Le të jenë këto zgjedhje një kthesë për reflektim në të mirë të popullit dhe të vendit, Kosovës!


Go to TOP