Akuzat e Hekuran Isait: “Ka pasur një Gjykatë sekrete në Ministrinë e Brendshme, që në vend të Hasanit, pushkatonin Hysenin…”! / Plenum i V-të, tetor ’82, kur “kryqëzohej” Kadri Hazbiu

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. 

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poliagjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR                                                                                  Tepër sekret

                                                -Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

SHOKU RITA MARKO: Ka bërë shënime në atë informacionin që i ishte dhënë nga ana e Partisë që “nuk janë të vërteta”, ato që shkruheshin në informacion. Me dorën e tij e ka bërë shënimin.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e lëmë një herë Kadriun të na flasë! (Çohet shoku Nimet Cani, po shoku Enver i thotë: lëre Kadriun të flasë pa kemi kohë).

KADRI HAZBIU: Pyetje tjetër e shokut Xhelil, është: Pse herë-herë vija e Partisë është zbatuar me lëkundje dhe kjo ka pasojat e saj. Sigurisht që ka pasojat e saj.

SHOKU XHELIL GJONI: Po nga këto lëkundje e di ti që bëhen krime?

KADRI HAZBIU: Bëhen.

SHOKU XHELIL GJONIPo ku ke qenë ti!

KADRI HAZBIU: Unë atje kam qenë dhe le të përgjigjem për ato krime që janë bërë.

SHOKU XHELIL GJONI: Po pse i ke lejuar?

KADRI HAZBIU: Po sa kam lejuar, sa kam ditur? (të gjithë shokët shprehin mos aprovim:

SHOKU XHELIL GJONIKëto nuk i di ti!

KADRI HAZBIU: Mirë, unë po ju përgjigjem kështu si e ndjej.

SHOKU ARANIT ÇELA: Për pyetjen e shokut Hekuran, për ato dënimet që janë dhënë me gjyq ilegal, ti nuk u përgjigje.

KADRI HAZBIU: Po mbaroj përgjigjen e këtyre pyetjeve unë, pa dakord jam. Nuk e di me siguri, po di që në fillim në Sigurim ka ekzistuar jo gjyq ilegal, po një Gjyq Special, kështu quhej ai, dhe ti, shoku Aranit, e di atë.

SHOKU ARANIT ÇELA: Po, po në vitin 1956, është miratuar heqja e tij dhe duhej të ishte hequr. Po fjala është që ka ekzistuar edhe pas vitit 1956.

KADRI HAZBIU: Po edhe unë për atë periudhë e kam fjalën.

SHOKU ARANIT ÇELA: Ne i verifikuam dhe del se gjyqe të tilla janë bërë edhe pas vitit 1956, mbasi ishte hequr zyrtarisht ky nen.

KADRI HAZBIUA, jo, nuk ka gjyqe të tilla, nuk ka gjyqe të tilla.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht që ka, e di ai.

KADRI HAZBIU: Jo, jo unë shokut Hekuran ia kam ngritur këtë çështje se ky gjyq ka ekzistuar që më përpara, nga viti 1950, atëherë ka qenë një gjyq special i sigurimit.

SHOKU ARANIT ÇELAAi vazhdoi deri në vitin 1956.

KADRI HAZBIU: Nuk e di deri kur vazhdoi, do parë ajo praktikë ku dhe si është bazuar.

SHOKU ENVER HOXHA: Edhe sikur të ketë qenë një dekret, atë e ka nxjerrë Presidiumi i Kuvendit Popullor me propozimin e qeverisë, po na thuaj ti ç’ke bërë me këtë dekret, si e ke shfrytëzuar, kë ke vrarë?

SHOKU ARANIT ÇELAËshtë anuluar ai dekret që në gusht të vitit 1956.

KADRI HAZBIU: Po mirë, ne po flasim për kohën para 1956-ës, çudi e madhe është kjo?!

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk është çudi e madhe. Është realitet. Ne nuk bëjmë çudira, jemi marksistë.

KADRI HAZBIU: Unë nuk e di që ky gjyq ka ekzistuar deri në vitin 1956, unë e di që ka qenë më përpara.

SHOKU ARANIT ÇELA: Ka qenë deri në vitin 1956.

KADRI HAZBIU: Sido që të jetë le të shikohet praktika e zbatimit të atij dekreti, kush është dënuar dhe si është dënuar. Këtë nuk e kam drejtuar unë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne e pamë pak përciptazi këtë çështje. Gjyqi kishte një kryetar, një sekretar dhe një prokuror; të gjithë ishin nga Ministria e Punëve të Brendshme. As gjeneralitetet nuk ia merrnin personit që gjykohej. Këtë e di shoku Aranit, bile ka pasur raste që në vend të pushkatohej, ta zëmë Hasani, merrej Hyseni.

Ai thoshte: s’jam unë, more, po nuk e dëgjonte njeri, dënimi ekzekutohej. Ja kështu ka vepruar ai gjyq, dënonte me 10 vjet, 15 vjet privim lirie, ose me pushkatim. Vendimi miratohej nga ministri i Punëve të Brendshme.

KADRI HAZBIU: Ka praktikë atje, shoku Hekuran, dhe le të shikohet.

SHOKU ENVER HOXHA: Të gjitha do të shikohen, po ti jepu përgjigje pyetjeve që të bëhen.

KADRI HAZBIU: Në atë kohë nuk e kam krijuar unë gjyqin.

SHOKU ENVER HOXHA: Ne nuk do të lëmë asgjë këtej e tutje pa e parë.

KADRI HAZBIU: Urdhëro?!

SHOKU ENVER HOXHA: S’ka lëshime.

KADRI HAZBIU: Dakord.

SHOKU ENVER HOXHAPër këtë të jesh i sigurt.

KADRI HAZBIU: Dakord, shoku Enver. Mbi ç’baza është shkelur vija e Partisë, ja një pyetje tjetër.

SHOKU XHELIL GJONI: Ti, Kadri, thua në “autokritikë” që ka pasur familjaritet. Mbi ç’baza? Në bazë të normave të Partisë sigurisht që jo, po atëherë mbi ç’baza ka qenë familjariteti. Vetëkuptohet që ka qenë mbi bazë të shkeljes së normave.

KADRI HAZBIU: Familjariteti atje të çon, në dëm të zbatimit me konsekuencë të normave të Partisë.

SHOKU XHELIL GJONIKonkretizoje.

KADRI HAZBIU: Po një gjë është: ky familjaritet ka ekzistuar jo vetëm tek unë.

SHOKU XHELIL GJONI: Po ti vetë thua në “autokritikë” që ke familjaritet me këta, atëherë unë të them: “mbi ç’bazë e ke pasur”?

KADRI HAZBIU: Po mirë, unë po them se e gjej këtë dobësi të punës dhe të dëmeve të shkaktuara punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në qoftë se këtu gjetën një vend të ngrohtë këta armiq, shkaku ishte familjariteti, nuk luftohej sa duhet me kritikë, nuk evidencoheshin sa duhet çështjet kur nuk shkonin. Këto janë rrjedhimet e familjaritetit.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ti ke parë te shokët e tu të afërt shkelje të vijës së Partisë të çdo drejtimi.

KADRI HAZBIU: Të kem parë dhe t’i kem fshehur?!

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ke parë shkelje të vijës së Partisë të çdo drejtimi dhe ti ke heshtur dhe i ke mbrojtur.

 KADRI HAZBIU: Që t’ia kem fshehur Partisë, jo.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Po ia ke fshehur edhe vetes tënde.

KADRI HAZBIU: Edhe vetes sime unë nuk di që t’ia kem fshehur. Edhe te të tjerët unë nuk di që t’i kem fshehur, po familjariteti, si e konceptoj unë, ka çuar në atë, (shokët i flasin: ku është atëherë familjariteti?).

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ku është atëherë familjariteti, ku është efekti i tij?

KADRI HAZBIU: Në dënimin e butë, shoku Adil, në qëndrimet “hë se ky është shok i mirë”. Ja këtu e konsideroj unë shprehjen e familjaritetit.

SHOKU ENVER HOXHA: Quhet shok i mirë ai që punon mirë e nuk bën gabime.

KADRI HAZBIU: Sipas mësimeve të Partisë familjariteti shprehet në atë që të vë gjyslyke, e konsideron shokun të mirë edhe kur bën gabime. Unë kështu e kam kuptuar dhe sigurisht këto janë dobësitë.

SHOKU ENVER HOXHA: A, jo, jo, nuk janë ashtu normat e Partisë.

KADRI HAZBIU: Jo, dakord.

SHOKU RAMIZ ALIA: Më lejoni shokë t’i lexoj Kadriut një letër të tijën që e kam këtu, të shkruar me dorën e tij, drejtuar shokut Hysni Kapo. Çështja është lidhur me letrën që ka bërë Vullnet Thanasi, i cili kritikon shumë rëndë Feçor Shehun, jo vetëm për çështje morale, por dhe për çështje politike, për lidhjet e tij të ngushta me Sami Muhametin. Kjo lidhet me atë që thanë shokët, domethënë që familjariteti të çon deri atje sa i merr në mbrojtje ata që shkelin vijën e Partisë.

Ti, Kadri, i shkruan kështu shokut Hysni: “Shoku Hysni, mendoj se vlen ta studioni këtë informacion. Sa për të marrë dijeni, paraprakisht me ç’ka përmban dhe për të më këshilluar si mund të veproj. A janë të gjitha këto të vërteta? (Vë pikëpyetje).

Po të jetë kështu, çështja është serioze, por nga një gjykim mbi gjërat që ngrihen dhe si ngrihen, të para dhe me disa çështje që ky shok (është fjala për Vullnetin), ka ngritur në raste të tjera, mendimi është se ky i fryn dhe u jep karakterin e ngritjes me pasion”.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Janë shënimet që ti Kadri vetë i ke bërë me dorë.

SHOKU RAMIZ ALIAPra, ky është qëndrimi që ti mban ndaj kësaj çështjeje.

KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU RAMIZ ALIATi e mbron Feçor Shehun dhe bile përpiqesh të ndikosh edhe shokun Hysni, që të ketë një mendim të tillë. Po shoku Hysni të përgjigjet, e kam këtu dhe kopjen e përgjigjes së tij.

KADRI HAZBIU: Po na e lexo, dakord.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shoku Hysni të jep një dru ty dhe të thotë: “Mos më mbaj anën e njerëzve as të mi, as të shokëve, se ju në Ministrinë e Brendshme, ndiqni këtë taktikë” dhe shoku Hysni, i cili ka qenë shumë parimor, e hedh poshtë një veprim tuajin të tillë duke thënë: “çështjet e Feçor Shehut duhen marrë me seriozitet, t’i ngrihen organizatës bazë, të detyrohet Feçor Shehu të bëjë autokritikë, bile dhe të sqarojë qëndrimin e tij ndaj Sami Muhametit”. Ja pra, cili është qëndrimi yt dhe ja cili është qëndrimi i shokut Hysni.

KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: Parimor ishte shoku Hysni.

SHOKU RAMIZ ALIA: Parimor, i drejtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Të tëra mendimet e shokut Hysni janë parimore dhe nuk qëndrojnë ato që thua ti, se gjoja ia ke thënë çështjet shokut Hysni, po tani ai ka vdekur. Hysni Kapoja ishte parimor, nuk bënte gabime ai.

KADRI HAZBIU: Dakord, dakord, po.

SHOKU ENVER HOXHA: Mos e përmend më Hysni Kapon, sikur gjoja ia ke thënë atij këtë apo atë çështje, se kemi dhe dokumente të tjera ne të Hysni Kapos, ku të kritikon rëndë ty dhe ti i di këto.

KADRI HAZBIU: Shoku Enver, unë e thashë dhe e them që nuk dua të njollos as shokun Hysni dhe as ndonjë tjetër. Përgjegjësia ime është imja. Unë sa kam përgjegjësi përpara Partisë, kam dhe përpara shokut Hysni, si sekretar përkatës i Komitetit Qendror, po mendimet e mia unë ashtu si i kam pasur i kam shprehur.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Po pse i ke pasur ashtu ti ato mendime? Kur të vjen një informacion ty si ministër i Punëve të Brendshme, që zëvendësi yt i parë është imoral dhe ka miqësi me një njeri të komprometuar për dyshime politike, ti jep menjëherë mendimin që këto mund të mos jenë të vërteta? Ti duhet të bësh të kundërtën, t’i marrësh, t’i analizosh një e nga një dhe t’i verifikosh mirë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kurse ti e mbron!

KADRI HAZBIU: Nga sa më kujtohet, ne ngarkuam sekretarin e Komitetit të Partisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme t’i verifikonte, i cili dha këto mendime. Çfarë thotë ai lidhur me çështje të tjera, unë nuk e mbaj mend. Ç’ka pasur Vullnet Thanasi, ato duhet t’i ketë dosja e tij si kuadër.

SHOKU PALI MISKA: Këtu ka çështje parimore.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse e bëtë bashkëpunëtor Sami Muhametin, për ta shpëtuar? Memorie.al

Go to TOP