Aktivisti i LDK-së, Astrit Gashi: Koha për unitet dhe rikthim te qytetari
Aktivisti shumëvjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Astrit Gashi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë duke bërë thirrje për më shumë unitet dhe reflektim nga lidershipi.
Përmes një reagimi publik, Gashi theksoi se LDK-ja historikisht ka qenë më shumë se një subjekt politik duke e cilësuar atë si një frymë bashkimi dhe një shtëpi politike për gjenerata të tëra që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë në Kosovë.
Ai kritikoi diskursin aktual publik duke vlerësuar se ai është larguar nga fokusi te qytetari, votuesi dhe aktivisti, dhe është zhvendosur drejt përplasjeve të brendshme që, sipas tij, nuk i shërbejnë as unitetit të partisë dhe as interesit të përgjithshëm.
“Ne, aktivistët e kamotshëm, nuk kërkojmë përsosmëri, por kërkojmë përgjegjësi, maturi dhe vizion të përbashkët”, ka theksuar Gashi duke shtuar se kjo periudhë kërkon më shumë dialog dhe bashkim sesa ndarje.
Ai u bëri thirrje liderëve të LDK-së që të reflektojnë mbi përgjegjësinë që mbajnë dhe të angazhohen për forcimin e unitetit brenda partisë, si mënyra e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ecur përpara me dinjitet.
Në fund, Gashi kujtoi se LDK-ja ka kaluar sfida edhe më të mëdha në të kaluarën, por gjithmonë ka dalë më e fortë kur ka qenë e bashkuar duke shprehur besimin se kjo mund të dëshmohet sërish. /Kosova.info/
