AKB: Nga nesër shkyçen nga rrjeti bizneset pa kontratë furnizimi me energji

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka paralajmëruar se nga nesër do të ndërpritet furnizimi me energji elektrike për të gjitha bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë furnizimi me njërin nga pesë operatorët e licencuar në treg.

Sipas hulumtimit të fundit të AKB-së, në Kosovë janë rreth 10,000 njësorë elektrikë të lidhur me 1,030 biznese. Deri më sot, mbi 700 prej tyre kanë përfunduar procesin e nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa më pak se 300 biznese, që përfaqësojnë afërsisht 3,000 njësorë elektrikë, ende nuk kanë kontratë furnizimi.

Ky paralajmërim vjen pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Komerciale – Shkalla e Dytë, e cila i dha të drejtë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për zbatimin e rregullores për liberalizimin e tregut të energjisë. Si pasojë, ZRrE dhe operatorët KESCO/KEK kanë njoftuar se nga nesër do të nisë shkyçja e bizneseve pa kontrata të vlefshme.

AKB u bën thirrje të gjitha bizneseve që nuk kanë nënshkruar ende marrëveshjen ta bëjnë këtë urgjentisht sot, për të shmangur ndërprerjen e energjisë dhe pasojat ekonomike.

“Respektimi i ligjit dhe vendimeve gjyqësore është i domosdoshëm për një treg të rregulluar e të drejtë. AKB do të vazhdojë betejën ligjore dhe do të bashkëpunojë me institucionet dhe furnizuesit për të garantuar një proces transparent dhe të drejtë për bizneset,” thuhet në njoftimin e saj. /Kosova.info/


Go to TOP