AKB kundër rritjes mbi 200% të energjisë: Kërkohet pezullimi i vendimit të ZRRE-së ose përshkallëzim i protestave

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që nga sot ka hyrë në fuqi dhe detyron rreth 1300 biznese në Kosovë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, me çmime të rritura drastikisht – mbi 250% më shumë se një vit më parë.

AKB e konsideron këtë vendim të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për ekonominë vendore, duke theksuar se është marrë pa asnjë analizë të ndikimit ekonomik dhe pa konsultim me komunitetin e biznesit. Sipas tyre, rritja ekstreme e çmimit të energjisë është një goditje e drejtpërdrejtë për sektorin privat, i cili përbën shtyllën kryesore të ekonomisë së Kosovës.

“ZRRE ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit. Ky vendim rrezikon qindra vende pune, ul konkurrueshmërinë e bizneseve dhe do të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët,” thuhet në reagimin e AKB-së.

Kjo rritje ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në mesin e ndërmarrësve dhe ka nxitur protesta në disa qytete të Kosovës. AKB paralajmëron se nëse vendimi nuk pezullohet, protestat do të përshkallëzohen në të gjithë vendin.

Në këtë kuadër, AKB ka parashtruar tri kërkesa kryesore:

1. Anulimin ose të paktën shtyrjen për një vit të vendimit të ZRRE-së, për t’i dhënë kohë bizneseve të përshtaten dhe për të vlerësuar pasojat reale.

2. Fillimin e një dialogu të hapur dhe të sinqertë me institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

3. Kërkim përgjegjësie institucionale nga ZRRE, për dëmin që i është shkaktuar sektorit privat dhe ekonomisë kombëtare.

“Protesta nuk është zgjedhja jonë, por është bërë e pashmangshme,” thuhet në fund të deklaratës. “Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësisë! Do ta mbrojmë punën tonë, të ardhmen tonë dhe të drejtën për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese.”

Reagimi i AKB-së vjen në një kohë kur shumë ndërmarrje vendore shprehen të pafuqishme për të përballuar faturat e reja të energjisë dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme institucionale. /Kosova.info/

Go to TOP