Ahmeti: Renditja e LDK-së e treta më 9 shkurt, sinjal për reformë të thellë, jo improvizim
Gazetari i karrierës dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Sylë Ahmeti, ka vlerësuar se pozicionimi i LDK-së si partia e tretë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është një sinjal i qartë për nevojën e reformimit substancial brenda partisë.
Sipas Ahmetit, ky rezultat nuk mund të konsiderohet fitore, por një vazhdimësi e humbjeve të njëpasnjëshme në proceset zgjedhore, të cilat e kanë lënë partinë hap pas hapi në një rënie të vazhdueshme. Ai thekson se problemi kryesor është enklavizimi i partisë në grupe të ngushta interesi duke injoruar dhe anashkaluar vlerat e reja profesionale.
“Kjo qasje e ka bllokuar LDK-në nga reformat reale dhe e ka penguar përtëritjen me kuadro të reja politike e profesionale, të cilat janë të domosdoshme për të rimarrë besimin e elektoratit,” thekson Ahmeti për Kosova.info.
Sipas tij, nëse LDK vazhdon të shmangë ndryshimet thelbësore dhe të improvizojë në vend të reformimit, rënia e saj do të jetë e pashmangshme. /Kosova.info/
