​Ahmeti: Ish-krerët e UÇK-së po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale

Një prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmeti, tha se ish-krerët e UÇK-së po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Në protestën gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave të UÇK-së, ai deklaroi se Specialja po bashkëpunon me Serbinë, duke pranuar materiale nga ata që kanë kryer krime dhe gjenocid në Kosovë.

Ahmeti, para mijëra të pranishmëve në Prishtinë – në protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta, theksoi se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë dhe luftë për liri.

Ahmeti: Na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti, çlirimtarët po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale

“Na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti. Prandaj, sot si një trup jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Kemi dalë sot për të kërkuar të drejtën tonë. UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë dhe luftë për liri. Luftë për çlirim nga pushtimi që nga viti 1994, kur filloi të komunikojë për veprimet e saj. Ajo ka qenë e qartë për qëllimin e saj çlirimtar. UÇK-ja i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës, përfshirë Konventën e Gjenevës të vitit 1949. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë, gra, pleq, dhe ka qenë e qartë në deklarimet e saj. Lufta e saj ishte vetëm për çlirim. Kjo luftë e drejtë e çoi Kosovën drejt fitores së lirisë dhe pavarësisë, dhe ndikoi në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike, duke sjellë Perëndimin, NATO-n dhe Amerikën në Ballkan pas rënies së Millosheviqit. Tani, në rajonin tonë, tek disa liderë të rinj mungon stabiliteti, bashkëpunimi, solidariteti dhe qartësia pro-perëndimore. Kush e mban të mbyllur këtë kontribut të stabilitetit, punon kundër stabilitetit tonë dhe vetë Perëndimit në Ballkan”, tha ai.

Ahmeti, i cili është kryetar i BDI-së në Maqedoni të Veriut, tha se Gjykata Speciale në vend që t’i shërbejë të vërtetës dhe drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së, po i shërben paragjykimit dhe nuk po respekton të drejtën për një gjykim të paanshëm, të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm.

Ahmeti: Specialja nuk po respekton të drejtën për një gjykim të paanshëm dhe të drejtë

“Serbia, me përkrahësit e saj, ka bërë dhe po bën gjithçka për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Ajo po përpiqet të përmbysë çdo të arritur në Kosovë. Gjykata u formua si u formua, u votua si u votua, u bë si u bë – dhe ashtu siç u krijua, ajo nuk respekton të drejtën për një gjykim të paanshëm, të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm. Gjykata Speciale, në vend që t’i shërbejë drejtësisë, i ka shërbyer paragjykimit. Madje, ajo po gjykon vetëm një palë, duke përjashtuar dhunën shtetërore serbe që ishte burim i gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë. Për më tepër, ajo bashkëpunon me strukturat shtetërore të Serbisë okupatore, duke pranuar materiale nga ata që kanë kryer krime”, përfundoi Ahmeti.

Pas përfundimit të fjalimit të Ahmetit, protestuesit filluan të shpërndahen të qetë nga protesta. 


Go to TOP