AGK shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të fotoreporterit Alban Bujari
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të fotoreporterit të shquar Alban Bujari, i cili ishte një nga emrat më të spikatur të fotoreportazhit në Kosovë.
Bujari u bë i njohur për dokumentimin e luftës së viteve 1997-1999 duke pasqyruar përmes fotografisë realitetin e hidhur të kohës. Përkushtimi dhe guximi i tij e bënë atë pjesë të mediave më prestigjioze ndërkombëtare si Agjencia Evropiane e Shtypit (EPA), The Guardian, El Pais, The Independent dhe Zeitung, duke kontribuar në ndërgjegjësimin global për luftën dhe krizën humanitare në Kosovë.
AGK ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e ti, duke e vlerësuar humbjen e tij si një humbje të madhe për komunitetin gazetaresk dhe gjithë shoqërinë.
“Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të pashlyeshëm,” thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK-së. /Kosova.info/
