AGK dënon kërcënimin ndaj gazetarit të Vox Kosova, Valon Rashiti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas një kërcënimi serioz që, sipas raportimeve, udhëheqësi i tifozëve të Kombëtares së Kosovës, Lulzim Berisha, ia ka bërë gazetarit të Vox Kosova, Valon Rashiti.

Sipas dëshmisë së gazetarit, gjatë një ceremonie, Berisha i është drejtuar me fjalët kërcënuese: “Kam me të ngreh zhag, ka me të shky si zhabën.”

AGK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë veprim duke e cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit fizik dhe profesional të gazetarit Rashiti. Organizata ka bërë të ditur se do ta monitorojë nga afër rastin dhe procedurat që janë iniciuar pas denoncimit të gazetarit në organet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Në reagimin e saj, AGK-ja thekson se gjuha e dhunës dhe kërcënimeve është e papranueshme dhe përbën pengesë serioze për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.

Po ashtu, AGK-ja ka ftuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) që të distancohet qartë nga sjellje të tilla duke kërkuar përgjegjësi dhe respekt ndaj përfaqësuesve të mediave. /Kosova.info/


Go to TOP