Agjencia e Kosovës për Akreditim mund të rikthehet shpejtë në EQAR dhe ENQA

Sot për vizitë në Kosovë ishte presidenti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), Karl Dittrich, ndërsa gjatë një konference për media bëri të ditur se Agjencia e Kosovës për Akreditim së shpejti do të kthehet në EQAR dhe Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Dittrich në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, inkurajojë AKA-në që të punojë në mënyrë që t’i bashkohet organizatave evropiane.

“… Ne kemi parë përparim të jashtëzakonshëm dhe kjo është e rëndësishme, jo vetëm për shkak të arsimit të lartë, por sigurisht për shkak të së ardhmes së këtij vendi dhe popullsisë së tij shumë, shumë të re..

Jemi shumë të kënaqur me projektligjin që kemi diskutuar dje me deputetët. Ne kemi diskutuar me organizatat e tjera të interesit në Kosovë, kemi diskutuar me Agjencinë për çështje të cilësisë, jemi absolutisht të bindur se me punën që po bën Agjencia për momentin, do t’i rris gjasat, që AKA të jetë anëtare e ENQA dhe EQAR në një kohë të shkurtër.

Pra, ne presim me optimizëm drejt së ardhmes dhe shpresojmë që të përqafojmë Kosovën dhe AKA-në sa më shpejt që të jetë e mundur si miq në Evropë dhe si partnerë që kanë qenë në të kaluarën, por edhe kanë qenë partnerë të mirë…”, tha ai.

Në këtë konferencë, ministrja Nagavci theksoi se Qeveria ka punuar që të afrojë rikthimin në ENQA dhe EQAR.

“…Ne kemi garantuar si institucion pavarësinë institucionale të Agjencisë për Akreditim…”, tha ajo.

“Ne kemi garantuar pavarësinë institucionale të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, kemi finalizuar Ligjin për Agjencisë Kosovare të Akreditimit e kemi votuar të njëjtin në Qeveri dhe e kemi dorëzuar në Kuvend, duke marr parasysh mendimet e të gjithë hisedarëve unë konsideroj se kemi dërguar një draft shumë të mirë të ligjin për të cilin morëm konfirmim dhe lëvdata edhe nga presidenti i ENQA-së.

Në anën tjetër kemi siguruar edhe përmbushjen e kritereve tjera siç sigurimi i objektit modern me mbi 1 mijë metra katror, për AKA, dhe kemi planifikuar buxhet të mjaftueshëm dhe kemi përkrahur të gjitha programet e AKA-së dhe po e ndihmojmë Agjencinë në rritjen e stafit. Kemi eliminuar të gjitha pengesat burokratike për zhvillimin e AKA-së.

Edhe vetë Agjencia ka bërë hapa përpara, ka respektuar të gjitha obligimet dhe detyrat të cilat i ka përcaktuar në planin dinamik duke zbatuar edhe rekomandimet e ENQA-së“, theksoi Nagavci.

Ndryshe, në vitin 2014, AKA-ja ishte pranuar në ENQA, në 2015 në EQAR, mirëpo ishte përjashtuar për siç shkak siç është thënë ndërhyrjeve politike në këtë agjenci në kohën e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, ku ministër i Arsimit ishte Shyqiri Bytyqi.

Go to TOP