Abdixhiku viziton punëtorët pas mesnate në Tunelin e Kurrizit: Po ndërtojmë Prishtinën e re me përkushtim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një vizitë të papritur në orët e vona pas mesnate në punishten e Tunelit të Kurrizit, ku po punohet me intensitet nga ndërrimi i tretë. Ai u shpreh i impresionuar me përkushtimin e punëtorëve dhe ritmin e ri që, sipas tij, po merr zhvillimi i vendpunishteve në kryeqytet.
“Do të punohet gjithandej në Prishtinë – në çdo lagje e në çdo rrugë, në projekte që hapin arterie të reja urbane dhe që i japin Kryeqytetit tonë një identitet të ri zhvillimor,” theksoi Abdixhiku.
Ai vlerësoi punën që po bëhet nga qeverisja lokale nën udhëheqjen e Përparim Ramës si kryetar i Komunës së Prishtinës, si dhe angazhimin e drejtorëve komunalë si Sokol Havolli dhe Gëzim Mehmeti, të cilët, sipas tij, janë të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.
Abdixhiku nënvizoi se kjo është Prishtina që po ndërtohet nga LDK me vizion dhe vendosmëri, pavarësisht çdo pengese. Ai premtoi vazhdim të projekteve zhvillimore që transformojnë qytetin në një model të ri urban dhe funksional për të gjithë banorët. /Kosova.info/
