Inzaghi lë Inter, drejt stolit të Al Hilal
Pas katër edicionesh në krye të Inter, trajneri italian Simone Inzaghi ka konfirmuar largimin nga klubi zikaltër.
Ai pritet ta marrë drejtimin e skuadrës saudite Al Hilal, duke mbyllur një kapitull të suksesshëm në Serie A, i cili përfshiu dy finale të Champions League dhe gjashtë trofe të fituar në të gjitha garat.
Lajmin për ndarjen e ka konfirmuar vetë Inter të martën, ndërsa mediat italiane raportojnë se Inzaghi ka pranuar ofertën e Al Hilal pas disa ditësh negociatash të drejtpërdrejta me drejtuesit e klubit nga Arabia Saudite.
Ky vendim vjen pas një periudhe intensive me “Nerazzurri”, ku Inzaghi arriti të krijojë një skuadër të fortë dhe konkurruese, duke fituar besimin e klubit dhe dashurinë e tifozëve. Kontrata e re që pritet ta nënshkruajë me Al Hilal raportohet të jetë shumë e favorshme financiarisht.
“Ka ardhur momenti që të them lamtumirë këtij klubi pas një rruge katërvjeçare, gjatë së cilës dhashë gjithçka nga vetja. Çdo ditë, mendimi im i parë dhe i fundit ishte për Interin. Ky përkushtim u shpërblye me profesionalizëm dhe pasion nga lojtarët, drejtuesit dhe çdo punonjës i klubit. Gjashtë trofetë që fituam, përfshirë edhe Scudetton e yllit të dytë, si dhe rrugëtimet tona në Champions League në vitin 2023 dhe vetëm disa ditë më parë, janë dëshmi e mbështetjes dhe harmonisë që kisha me stafin dhe klubin. Dua të falënderoj aksionarët për përkrahjen e tyre të palëkundur, presidentin dhe bashkëpunëtorët e tij për ndihmën e përditshme dhe dialogun e vazhdueshëm”, ka thënë tekniku italian, duke e përmbyllur mesazhin me një falënderim të veçantë për tifozët. “Fjalët e fundit dua t’ua dedikoj miliona tifozëve ‘Nerazzurri’ që më mbështetën, qanin dhe vuanin në momentet e vështira, qeshnin dhe festonin në gjashtë triumfet që përjetuam bashkë. Nuk do t’ju harroj kurrë”.
Simone Inzaghi u bashkua me Interin në verën e vitit 2021, dhe gjatë qëndrimit të tij fitoi një Scudetto, dy Coppa Italia dhe tre Supercoppa Italiana. Ai la gjurmë edhe në Evropë, duke e dërguar Interin në dy finale të Champions League, përfshirë atë të fundit të humbur ndaj Paris Saint-Germain.
