Abdixhiku takon emisarin e BE-së për dialogun, kërkon heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në këtë takim, Abdixhiku dhe Sorensen diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe integrimin evropian të Kosovës.
Abdixhiku e uroi Sorensen për detyrën e re dhe e informoi për qëndrimet e LDK-së duke ritheksuar mbështetjen për dialogun me ndërmjetësimin e BE-së dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me synim arritjen e njohjes së ndërsjellë. Ai po ashtu theksoi refuzimin e LDK-së ndaj draft-statutit të Asociacionit të pranuar nga qeveria në largim, të cilin e cilësoi si një dokument që krijon autonomi territoriale brenda Kosovës.
Gjithashtu, Abdixhiku kërkoi nga BE-ja që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës duke argumentuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe pengojnë procesin e integrimit euroatlantik të vendit.
Në përmbyllje, ai shprehu besimin se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit dhe në proceset e tjera kyçe për vendin. /Kosova.info/
