Abdixhiku: Nominimi i Agim Veliu në Podujevë, hap drejt bashkimit të madh në LDK

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur Degën e LDK-së në Podujevë për, siç u shpreh ai, unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të rëndësishëm për partinë.

Abdixhiku e ka vlerësuar nominimin e ish-kryetarit të degës, Agim Veliu, si dëgjim të vullnetit të anëtarësisë dhe një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të madh brenda LDK-së.

“LDK-ja gjithmonë ka ditur të bëhet më e fortë atëherë kur ka ditur të bëhet bashkë. Dhe ky është mesazhi më i mirë që mund t’u japim sot qytetarëve tanë; se mbi çdo dallim, mbi çdo pakënaqësi e mbi çdo periudhë të kaluar, qëndron shtëpia jonë e përbashkët politike, Lidhja Demokratike; dhe përgjegjësia jonë ndaj Republikës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ky reagim vjen pas mbledhjes së Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë, ku kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit u votuan njëzëri, ndërsa rikthimi i Agim Veliut në listë u konsiderua si sinjal i fuqishëm i konsolidimit dhe unifikimit brenda partisë. /Kosova.info/


Go to TOP