Abdixhiku nga Klina: Koha e një qeverie të përgjegjshme ka ardhur, ekipi ynë është dallimi ynë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka nisur ditën e sotme në Klinë, ku ka prezantuar kandidatët e kësaj partie dhe programin qeverisës për zgjedhjet e ardhshme.

Në fjalën e tij, Abdixhiku përshëndeti vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme nenet e qeverisë aktuale që detyronin pensionistët të dëshmonin çdo gjashtë muaj se janë gjallë.

“Kjo nuk është reformim i shtetit; kjo është poshtërim i qytetarëve që e ndërtuan këtë vend”, tha Abdixhiku duke e cilësuar qeverinë aktuale si të dembelizuar dhe të shkëputur nga nevojat reale të qytetarëve.

Ai shprehu shqetësim të madh për, siç tha, nivelin e korrupsionit qeveritar në Kosovë duke theksuar se sot korrupsioni serioz po zhvillohet në grupe të mbyllura në aplikacionin WhatsApp.

“Në Kosovë, korrupsioni serioz qeveritar sot bëhet në grupe WhatsApp-i. Janë vjedhur pasuritë e vendit, janë ndarë tenderë dhe janë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp, të fshehur pas populizmit dhe patriotizmit të rremë”, u shpreh ai.

Sipas Abdixhikut, koha e një qeverie të përgjegjshme, të pastër dhe të guximshme për vendime të mëdha zhvillimore është shumë afër, ndërsa LDK-ja ka ekipin e duhur për ta sjellë këtë ndryshim.

Duke folur për Klinën, ai theksoi se kjo komunë ka njerëzit e duhur për transformimin që synon LDK-ja duke prezantuar dy kandidatët e kësaj partie.

“Me numër 45, Shqipe Pantina, magjistre e Shkencave Politike, dhe me numër 54, Astrit Desku, doktor shkence në fushën e Teknologjisë Informative dhe inovacionit. Ekipi ynë është dallimi ynë”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP