Abdixhiku në Prizren: Besimi i qytetarëve është i pathyeshëm, LDK gati për qeverisje me dinjitet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Prizren, ku u prit nga një numër i madh qytetarësh. Ai tha se ky qytet, i njohur për historinë, kulturën dhe bashkëjetesën, dëshmoi një pritje madhështore dhe një besim të fuqishëm në vizionin e LDK-së.

Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se qytetarët e Prizrenit besojnë në shpresë, zhvillim dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Ai prezantoi kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanajn duke e cilësuar atë si të gatshëm që këtë besim ta shndërrojë në punë të përditshme, projekte konkrete dhe qeverisje me dinjitet.

“LDK është gjithmonë aty ku qytetarët kërkojnë rrugën e arsyes dhe vizionin e qartë për të ardhmen. Prizreni sot tregoi se ky besim është i pathyeshëm”, tha Abdixhiku duke e mbyllur fjalimin me mesazhin e fuqishëm për unitet dhe drejtim të qartë politik.

Në tubimin e mbajtur, qytetarët shprehën mbështetjen për kandidatët e LDK-së duke e konsideruar këtë parti si adresën e besueshme për qeverisje në Prizren dhe mbarë Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP