Abdixhiku mobilizon strukturat në Ferizaj: Fitoret ndërtohen me besim dhe punë
Lumir Abdixhiku ka zhvilluar një takim mobilizues me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, në prag të nisjes së fushatës zgjedhore.
Në këtë tubim, Abdixhiku theksoi rëndësinë e organizimit, angazhimit dhe përkushtimit të secilit anëtar duke vlerësuar energjinë dhe entuziazmin e strukturave lokale. Ai u shpreh se fitoret nuk vijnë rastësisht, por ndërtohen mbi besimin, punën dhe qëndrueshmërinë e njerëzve që nuk dorëzohen.
Sipas tij, bashkimi i brendshëm i partisë është ndjerë fuqishëm pikërisht në Ferizaj, një qytet që historikisht ka ditur ta kthejë besimin në forcë dhe forcën në rezultat konkret.
Abdixhiku bëri thirrje për angazhim të përbashkët në rrugëtimin drejt zgjedhjeve duke theksuar se vetëm përmes unitetit dhe punës së përbashkët mund të arrihen synimet politike.
“Tash, me zemër e angazhim, ecim përpara bashkë”, përfundoi ai. /Kosova.info/
